Ligji për amnisti i liron edhe  Fejzi dhe Haki Azirin nga rasti “Monstra”/Avokati konfirmon, ministri Lloga nuk komenton lëndët gjyqësore

TË FUNDIT

Haki Aziri dhe Fejzi Aziri, të dy të dënuar për ndihmë në lëndën “Monstra”, një rast i dyshuar si i montuar, mund të amnistohen me Ligjin për amnisti i përpiluar nga ministria e Drejtësisë. Këtë për TV21 tha avokati i dy të dënuarve Naser Raufi i cili pret që amnistimi i tyre të bëhet për shkak se vepra që rëndon mbi ta është vetëm për “ndihmë” për rastin në fjalë, ndërsa nga ana tjetër dy të dënuarit tashmë e kanë kryer dy të tretën e dënimit.

 “Sigurisht që do të amnistohen të dy të rastit “Monstra” që kanë dënime me burg, 15 vjet Fejzi Aziri dhe Haki Aziri 9 vjet burg pasi ata janë të dënuar për ndihmën e realizuesit të veprës, d.m.th. nuk janë për veprën e “terrorizmit”, pra kinse se kanë ndihmuar ata që kanë fajin për këtë rast që të arratisen nga vendi, që d.m.th. ky është një nenë shumë ndryshe dhe që ligji për amnisti i përfshin edhe këto vepra”, theksoi Naser Raufi, avokat.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga nuk deshi të komentojë nëse me ligjin e amnistisë përfitojnë dy të akuzuarit e “Monstrës”. Shtoi se si grup pune nuk kanë hyrë në lëndë për të parë individualisht kush përfiton nga ligji. Përsëriti disa herë se ligji është i njëjti më 2018 dhe pret edhe mbështetje prej deputetëve sepse i njëjti ligj ka kaluar në atë periudhë.

 “Pyetja është tendencioze dhe lidhet vetëm më një lëndë. Unë thashë se është i njëjti ligj i vitit 2018. Nëse në vitin 2018 vepra të tilla janë amnistuar, përsëri do të amnistohen. Ligji nuk hyn në lëndë konkrete, ligji është i njëjti dhe i tillë do të propozohet dhe është propozuar nga ana e ministrisë deri në Kuvend. Kush do të përfshihet do të llogaritet nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve”, tha deklaroi Krenar Lloga, ministër i Drejtësisë.

Haki e Fejzi Aziri janë të dënuar me 9 dhe 15 vjet burg për ndihmë pas vrasjen e 4 djemve dhe një personi tjetër te liqeni i Smilkovës në periferi të Shkupit. Dy të akuzuarit e parë Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq gjendet në arrati në Kosovës, ndërsa Agim Ismailoviq vuan dënimin në burg.