Në zgjedhjet lokale të tetorit me lista zgjedhore për këshilltarë do të dalin disa iniciativa qytetare si “Qyteti i gjelbër human”, “Më mirë për Tetovën”, “Ndryshe”, “Gazi Baba”, e tjera.
Ngadhënjim Memeti aktivist në iniciativën “Më mirë për Tetovën” thotë se LSDM dhe VMRO-DPMNE, janë të frikësuara nga këto lista andaj po i pengojnë të marrim pjesë në zgjedhje.
Sipas tij me ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të cilat kanë arritur marrëveshje këtë javë, në vend të një numri fiks të nënshkrimeve që duhet të grumbullojnë listat e pavarura për të garuar në votime, kjo shifër përcaktohet në 2% të trupit votues. Kjo do të thotë se një listë e pavarur për të kandiduar për kryetar komune ose këshilltarë të Qytetit të Shkupit, në vend të 1000 nënshkrimeve, siç parasheh ligji aktual, do të duhet të mbledhë gati 10,000 nënshkrime! 10 herë më shumë se më parë.
“Me këtë behët shkelje e rëndë e procesit demokratik për përfaqësimin gjithëpërfshirës të qytetarëve në vendim marrje. Thyhen edhe rekomandimet e OSBE-së ku në mënyrë decide dhe të saktë thuhet se ndryshimet në kodin zgjedhor nuk guxojnë të behën 6 muaj para zgjedhjeve. Ne kemi kërkuar që në kuvend ky ligj të mos sillet. Nëse tentohet të votohet, le të pengohet nga presidenti i vendit, të përdore veton, të reagoj edhe këshilli i anti-korrupsionit, të reagohet edhe nga Avokati i Popullit”, tha Mehmeti.
Sipas Memetit nëse kjo kalon, ata do të organizohen edhe me lista tjera të pavarura dhe do të protestojnë .
“Ne do të protestojmë, do të organizohemi dhe me grupe të tjera të ngjashme që planifikojmë të kenë lista edhe në qytete të tjera dhe reagimi do jetë i ashpër, ku do ta dekonspirojmë këtë loje të partive të vjetra që janë të dëshpëruara nga përkrahja qytetare, pasi që qytetarëve u ka ardhur në maje të hundës me vetënumrimin e shtetit dhe degradimi dhe mjerimin që e përjetojmë çdo ditë edhe më shumë”, shtoi ai.
Nga lista “Më mirë për Tetovën” kërkojnë që kriteret për mbledhjen e nënshkrimeve për listat e pavarura në Kodin Zgjedhor të zbuten, duke ndjekur shembullin e praktikave të mira nga vendet e mëposhtme evropiane. Për shembull në Qipro dhe Maltë, kandidatët e pavarur duhet të provojnë mbështetjen e tyre vetëm për katër votues. Në Greqi, kërkohen vetëm 12 nënshkrime për kandidatët e pavarur. Në Gjermani 200, në Danimarkë midis 150 dhe 200. Në Kroaci, nënshkrimet mund të mblidhen thjesht në rrugë duke treguar identifikim personal dhe nuk ka një proces kompleks burokratik.
