LIGJI I GJUHËVE DHE MOSZBATIMI I TIJ, “PARTITË POLITIKE NUK KANË VULLNET PËR TA ZGJIDHUR”

TË FUNDIT

Ligji i gjuhëve dhe moszbatimi i tij në praktikë vazhdon të jetë temë diskutimi nëpër debate të ndryshme. Në debatin e hapur ClickPlus, shumë qytetarë parashtruan pyetje pikërisht për këtë temë. Profesoresha Mirjana Najçeska tha se ligji i gjuhëve nuk do ta rregullojë problemin me çështjen gjuhësore. Ajo madje tha se askush nuk ka vullnet ta zgjidhë problemin me çështjen gjuhësore.

“Në RMV nga themelimi e deri më sot askush, as maqedonasit as shqiptarët as turqit askush nuk ka dashur ta zgjidhë çështjen gjuhësore. Unë mendo se as sot nuk duan politikanët ta zgjidhin çështjen gjuhësore, ligji I cili është sjellë tani nuk është vendim për  çështje gjuhësore, por është krijimi i një themeli për konflikte të reja”, u shpreh profesoresha, Mirjana Najçeska.

Avokati i popullit Ixhet Memeti thotë se avancimi i gjuhës shqipe është periferik.

“A vërehen avancime sa i përket përdorimit të gjuhëve, po por janë shumë periferike nuk janë thelbësore. Problemi kryesorë në shtetin tonë është se miratojmë norma, në anën tjetër nuk sigurojmë kushte që ata norma mirëfillta të implementohen”, tha Avokati i popullit, Ixhet Memeti.

Për profesoreshën Adelina Marku qytetari i rëndomtë ka nevojë për liri personale kur të komunikojë me aparaturën e shtetit. Sipas saj pa këtë dozë lirie qytetari nuk do të arrijë asnjëherë ta kuptojë shtetin se si funksionon .

“Sigurisht që t’i e ke frikën e njëjte si unë, sepse ne në shtet dëshmojmë shumë politikë, krijojmë shumë ligje, thirremi më vone në ratifikimin e kartave dhe nuk i kemi folur të drejtat e atyre kartave me kohë, por i flasim sot kur krijojmë një ligj për përdorim të gjuhës”, deklaroi Adelina Marku, opinioniste.

Deputetja nga partia RDM Maja Moraçanin, tha se partia e saj ka votuar kundër ligjit të gjuhëve sepse konsideron se teksti i këtij ligji është i dëmshëm.

“Vetë teksti i ligjit mundej të ishte përmirësuar dhe ai nuk është i zbatueshëm mirë në praktikë. Praktikisht, ai do të zbatohej në mënyrë joadekuate dhe gjatë zbatimit të tij do të kishte shumë vështirësi. Prandaj, konsideroja se mundej të bëhej tekst më i mirë i ligjit, i cili do të ishte në interes të të gjithëve”, theksoi Maja Moraçanin nga RDM.

Ndryshe ligji i gjuhëve u votua në kuvendin e Maqedonisë së Veriut më 14 Mars të vitit 2018 mes tensionesh brenda dhe jashtë kuvendit.

Përgatiti: Salije Sadiku