Ligj i ri në Mal të Zi! Gratë me probleme menstruale fitojnë dy ditë pushim çdo muaj

TË FUNDIT

Kuvendi i Malit të Zi sot miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, me të cilat grave të diagnostikuara me dismenorre sekondare – cikle të dhimbshme menstruale të shoqëruara me ngërçe, të përziera dhe lodhje – u mundësohet e drejta për dy ditë pushim të paguar në muaj.

Sipas mediave malazeze, kjo e drejtë vlen për gratë që kanë menstruacione të dhimbshme të shkaktuara nga probleme organike, si endometrioza, miomat, polipet dhe sëmundje të tjera gjinekologjike.

Iniciativa për ndryshimet ligjore u paraqit në mars të këtij viti nga deputetja e pavarur Jevrosima Pejoviç, ndërsa më herët propozimi ishte mbështetur njëzëri nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Politikë Sociale si dhe nga Komisioni Legjislativ.

Në arsyetimin e ligjit thuhet se qëllimi i ndryshimeve është rregullimi i duhur i gjendjeve të diagnostikuara patologjike të dismenorresë sekondare, heqja e stigmës dhe paragjykimeve në vendin e punës, si dhe krijimi i një ekuilibri mes ruajtjes së shëndetit dhe detyrimeve profesionale të grave.

Dismenorreja sekondare lidhet me dhimbje menstruale të shkaktuara nga sëmundje të mëparshme të diagnostikuara gjinekologjike, si endometrioza, miomat, inflamacioni i vezoreve, polipet endometriale dhe sindroma e vezoreve policistike. Këto gjendje mund të shoqërohen edhe me dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale, vështirësi në urinim, infertilitet ose gjakderdhje të madhe menstruale.