Liderët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut urojnë 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

TË FUNDIT

Liderët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut sot kanë uruar përvjetorin e 14 të Pavarësisë së Kosovës. Ata përmes rrjeteve sociale kanë shprehur uratat e tyre për 17 Shkurtin.

“Çdo ditë e Kosovës së lirë dhe të pavarur është përkujtim i kushtrimit të lirisë, të cilit nga të gjitha trojet tona iu përgjigjëm për të ruajtur rrënjët e identitetit të saj shqiptar! 17 Shkurti është më shumë se festë shtetërore, është mirënjohje mbarëkombëtare për veprën e lavdishme të dëshmorëve, është drejtësi e vendosur në vendin e vet, është amanet për të vazhduar rrugën e përparimit të Kosovës. Qoftë përjetë e lirë Kosova jonë dhe i përjetshëm kujtimi për ata që qëndruan në mbrojtje të saj! Gëzuar!”, ka shkruar Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.

“Urime 17 shkurtin, ditën e pavarësisë së Kosovës të gjithë shqiptarëve anembanë botës. Mirënjohje përjetë atyre që u flijuan për liri”, ka shkruar Zijadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

“17 Shkurti i secilit vit vjen për të na e rikthyer entuziazmin e festës, por edhe për të na i ndërmendur të gjitha përpjekjet e sakrificat vetëmohuese të shumë brezave për Kosovën e lirë e të mosvarme. Njësoj si para 14 vjetëve, edhe sot e kam emocionin e njëjtë kur bashkërisht festonim rrugëve të Prishtinës. Është kjo një histori që na bën të mburremi të gjithëve”, ka shkruar Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

“Shpallja e pavarësisë së Kosovës është akti më patriotik për një popull të shtypur e të robëruar dhe me ndalim të lirisë së fjalës. Shpallja e pavarësisë me 17 shkurt 2008, ishte kurorrëzimi i një udhëtimi të dhimbshëm mes lotësh për të gjithë shqiptarët. Unë si kryetar i Komunës së Tetovës dhe si kryetar i Lëvizjes BESA, i uroj nga zemra mbarë shqiptarët për 14 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Sakrifica e të parëve tanë, nuk duhet harruar asnjëherë por ata duhet lartësuar si ndër njerzit që sakrifikuan çdo gjë për këtë ditë. Shpallja e pavarësisë së Kosovës po i kontribuon stabilitetit rajonal dhe ballkanik. Anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe BE është priroriteti kryesorë, andaj sa më i përshpejtuar të jetë anëtarësimi aq më i përshpejtuar do të jetë progresi dhe zhvillimit!”, ka shkruar Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.