Pas një ndërprerjeje dyvjeçare, janë rikthyer provimet për punësim në kopshte. Për shkak të një sistemi elektronik të provimit jofunksional, një numër i madh kandidatësh nuk mundën ta jepnin provimin, gjë që shkaktoi një ndërprerje pikërisht kur kishte nevojë për më shumë staf në kopshte. Ministri i politikës sociale, demografisë dhe rinisë Fatmir Limani tha se me ndryshime ligjore u mundësua që provimi profesional të zhvillohet në formë të shkruar për edukatore dhe përkëdhelëse nëpër kopshtet publike.
“Dua të ju informoj se përfundimisht zhbllokuam procesin e dhënies së provimeve profesionale për dhënie të licencave për punë nëpër kopshte, proces i cili kishte ngecur nga viti 2023. Licencat e punës për mësuese, përkëdhelëse, punonjës profesionistë, bashkëpunëtorë dhe drejtorë është një parakusht i domosdoshëm për punësimet nëpër kopshte”, tha Limani.
Për të kapërcyer këtë problem janë bërë ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, të cilat lejojnë që provimi profesional të zhvillohet në formë të shkruar deri më 1 janar 2026. Pas këtij afati, procesi i licencimit do të vazhdojë në formë elektronike, tha Limani.
“Sot do të japin provimin rreth 350 persona dhe deri në fund të këtij muaji edhe 350 kandidat të tjerë do të kenë mundësinë ta kryejnë këtë proces të rëndësishëm dhe të marrin licencën përkatëse të punës. Dua të theksoj se të gjitha kërkesat e arritura për marrje të licencave janë shqyrtuar detajisht dhe çdo aplikues do të kontaktohet nga komisioni”, tha më tej Limani.
Në vitet e fundit, është vërejtur shumë mungesa e edukatoreve dhe përkëdhelësve në nivel vendi. Madje në shumë kopshte mungesa e tyre, ka bërë që të mbingarkohen grupet e fëmijëve parashkollor në ato pak hapësira publike. Në rastet tjera edhe lista është e gjatë e pritjes së fëmijëve për të hyrë në çerdhe, duke u ardhur koha për të hyrë në shkollë ende pa iu dhënë mundësia për t’u regjistruar në kopshte.
