Lëvizja “Populli” është partia më e re politike në Maqedoninë e Veriut. Themelues e kryetar i saj është deputeti i pavarur Skender Rexhepi-Zejd, i cili thotë se me këtë subjekt po vjen ndryshimi në skenën politike në vend.
“I prirë nga besimi në fjalët hyjnore se Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ai popull ta ndryshoj veten e tij. I prirë nga thëniet e të parëve tanë, që patriotizmi dhe atdhedashuria janë tiparet e njerëzve që dëshirojnë ta ndryshojnë shoqërinë, i prirë nga thënie e njohur që nëse dëshirojmë ta ndryshojmë botën, duhet të jem shembull, ndërsa më pak të flasim, sepse fjala vet nuk e ndryshon botën, andaj sot me plot krenari dhe dinjitet them se ky trup, ky grup do ta ndryshojë botën sepse është shembulli më i mirë që mund të ketë deri tash dikush”, tha Skender Rexhepi-Zejdi, kryetar i Lëvizja Populli.
Zejdi tregoi edhe arsyet se përse u nda nga Alternativa dhe se u detyrua të zgjedhë në mes 3 opsioneve, të lërë politikëbërjen, të bashkohen më ndonjë subjekt politik ekzistues ose të themelojë parti të re.
“Mbetëm tek opsioni i tretë, te opsioni ku ne vetë e zgjedhim konceptin politik me çka do e vazhdojmë këtë rrugëtim politik sepse ja kemi amanet jo vetëm të afërmeve tanë sot, po ua kemi amanet edhe atyre që vijnë pas nesh”, pohoi Skender Rexhepi-Zejdi, kryetar i Lëvizja Populli.
Zejdi dha edhe premtimet e para si parti e re.
“Prandaj edhe ndryshimi që parashihet i kushtetutës është i domosdoshëm që të përfshihet edhe largimi i grafës ofenduese për shqiptarët. Kjo është kërkesa jonë publike dhe do të vazhdojmë ta ushqejmë këtë kërkesë pasi që i kemi dhënë premtim vetës se çështjet që i kemi rrënjësore do i çojmë tutje”, tha Skender Rexhepi-Zejdi, kryetar i Lëvizja Populli.
Zejdi premtoi se në programin e tyre politike do të përfshihen investime të reja, punësime, se do të kthejnë shtesën fëmijërore për çdo familje, depolitizim të arsimit. Përndryshe muaj më parë janë themeluar edhe 2 parti tjera shqiptare, ajo e Izet Mexhitit me emrin “Lëvizja Demokratike” dhe partia e Arjanit Hoxhës “Partia Demoktratike Europiane”.