Në rrugicat e vjetra me gurë të Ohrit, është një vend ku duket se koha ka ndaluar shekuj më parë. Në një hapësirë të vogël, Valentina Panevska bashkë me të shoqin prodhojnë letër njëjtë siç është prodhuar para 5 shekujsh në Manastirin “Shën Naumi”.
I njëjti proces, me të njëjtat mjete pune.
“Letrën e bëjmë me ujë dhe dru, me pjesën e brendshme të drurit. I hiqet pjesa e sipërme dhe druri pritet në kënd të caktuar në grimca shumë të vogla të cilat qëndrojnë në ujë 3 javë, 21 ditë”, tha Valentina Panevska.
Pas tre javësh grimcat e drurit të cilave u është shtuar edhe pambuk, lidhen me njëra tjetrën dhe janë të gatshme për të prodhuar letër.
“Uji rrjedh përmes sitës ndërsa në sipërfaqe mbetet letra”.
Për shkak se kanë ende ujë, copat e letrës palosen me pëlhura që e thithin ujin. E më pas shtrydhen.
“Të gjitha këto i vendosim në shtypëse që të ikë uji prej tyre”.
Por s’mbaron me kaq. Letra lihet të thahet edhe më shumë, por jo në diell!
“Thahen rreth dy ditë në hije, sepse nga dielli shtrembërohen shumë”.
Pasi të jenë tharë, vendosen sërish në shtypëse për t’u drejtuar. Pas kësaj janë të gatshme për t’u shkruar ose vizatuar mbi to.
Valentina që këtë punishte e mban gjallë bashkë më bashkëshortin, përdorin një shtypshkronjë të njëjtë si ajo me të cilën ka shtypur Gutenbergu në shekullin e 15-të.
“Lyhet shablloni. Vendoset letra. Futet nën shtypëse dhe shtypet. Brenda ka pllakë plumbi dhe kështu printohet. Kështu është shtypur libri i parë, ka qenë Bibla, në shekullin e 15-të”.
Në punishte kanë dhjetëra shabllone me motive të Ohrit si dhe fletore me letër artizanale. Interesi i turistëve është i madh.
“Është shumë interesante të shohësh një proces që është bërë kaq shumë vite më parë, si 2 mijë vite para Krishtit dhe të mendosh se mund ta shohësh të njëjtën gjë që kanë bërë kaq kohë më parë, është shumë interesante”, tha turisti, Xhonatan Braun.
Kjo punishte funksionon mbi 25 vjet ndërsa është nderuar edhe me çmime të ndryshme.
Letra e parë është prodhuar në Kinë në shekullin e dytë para erës sonë.
