Lëshohet pjesa e dytë e autostradës Kërçovë – Ohër me gjatësi prej 17 kilometrash. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se pas një dekade ngecjeje, gjatë së cilës qeveria e mëparshme e kishte lënë pas dore këtë projekt, tani ka rezultate, sepse siç theksoi ai, kjo autostradë ka një rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë.
“Autostrada Kërçovë – Ohër ka rëndësi strategjike për vendin tonë, ajo është arteria kryesore për lidhjen e Jugperëndimit të Maqedonisë me pjesën tjetër të shtetit dhe me Ohrin, qytet i cili nuk është vetëm margaritar turistik ynë, por edhe trashëgimi kulturore botërore. Me këtë autostradë Ohri dhe i gjithë rajoni marrin energji të re për zhvillim, mundësi të reja për turizmin dhe perspektivë të re për ekonominë”, tha Mickoski.
Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski theksoi se kjo pjesë deri në Ohër, së bashku me pjesën e mëparshme të lëshuar prej rreth 20 kilometrash, paraqet më shumë se gjysmën e të gjithë autostradës që është përfunduar. Deri në fund të vitit të ardhshëm mbetet të përfundojë edhe e gjithë autostrada, tha Nikolloski.
“Do të doja që kjo autostradë të përdoret sa më shumë, të sjellë sa më shumë turistë në Ohër dhe në Strugë, të sjellë sa më shumë biznes që do të shkojë jo vetëm drejt kësaj pjese të shtetit, por gjithashtu edhe përmes Korridorit 8 do të shkojë drejt Shqipërisë fqinje dhe do ta lidhë Maqedoninë me portin e Durrësit”, tha Nikollovski.
Vetëm brenda një viti më shumë se 50 për qind të kësaj autostrade po merr zgjidhjen e saj përfundimtare, theksoi Koce Trajanovski, drejtor i Rrugëve Shtetërore. Trajanovski tha se kjo ka qenë një nga pjesët më të vështira me të cilat janë përballur.
“Për shkak se po ndërtohet mbi asfaltin ekzistues, në një kalim rrugor ekzistues ku nuk e di sa herë ka devijime majtas – djathtas, majtas – djathtas, në mënyrë që nga një rrugë e zakonshme të mund të bëhet një segment autostrade. Dhe problemi i dytë, i cili ishte shumë i madh, është se ajo kalon përmes 5 vendbanimeve”, tha Trajanovski.
Ndërtimi i autostradës Kërçovë – Ohër filloi në shkurt të vitit 2014, ndërsa gjatësia e saj është 57 kilometra. Afati fillestar për ndërtim ishte qershori i vitit 2018, por disa herë është shtyrë, dhe nga marrëveshja fillestare prej 373 milionë eurosh, shuma deri tani është rritur mbi 600 milionë euro.