LEN vazhdon të kërkojë vendin e lirë në KSHZ. I bëjmë thirrje kryekuvendarit të ri të mos e bllokojë procesin

TË FUNDIT

Opozita shqiptare vazhdon të kërkojë vendin vakant që ka mbetur në Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli, i bën thirrje kryetarit të ri të Kuvendit Jovan Mitrevski, që të urdhërojë Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime të propozojë kandidatin e opozitës shqiptare, Abdush Demirin, për anëtar në KSHZ. Zendeli ia rikujton Mitrevskit se kandidati tjetër Zylfi Adili, është i propozuar nga parti e cila fare nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e fundit.

“Pasi që bllokuesi kryesor për zgjedhjen e anëtarit të opozitës në KSHZ, Talat Xhaferi, nuk është më kryetar i Kuvendit, dëshirojmë që pushtetit t’i japim edhe një mundësi që të dëshmojë veten se është proevropiane siç dëshiron të shitet dhe jo pro-ruse, ashtu siç po vepron. Kërkojmë nga kryetari i ri i Kuvendit, Jovan Mitrevski, i cili gjatë marrjes së detyrës dje deklaroi se do të punojë në interes të të gjithë qytetarëve, urgjentisht, të urdhërojë komisionin  për Zgjedhje dhe Emërime që të mbajë seancë dhe për anëtar të KSHZ-të para Kuvendit ta propozojë kandidatin e opozitës Shqiptare, z. Abdush Demirin”, tha Fadil Zendeli nga LEN.


Opozita shqiptare thotë se nëse edhe Mitrevski vazhdon të bllokojë këtë proces, dyshojnë se BDI dhe LSDM po tentojnë të gjymtojnë KSHZ-në, me qëllim për t’i falsifikuar zgjedhjet.
Nga ana tjetër kryetari i KSHZ-së Aleksandar Dashtevski, thotë se do të ishte i mirëseardhur anëtari i shtatë në përbërjen e KSHZ-së, por edhe nëse nuk zgjidhet në Kuvend, ata mund të funksionojnë edhe me gjashtë anëtarë.

“Sipas ligjit, KSHZ mund të punojë nëse ka shumicë. Dmth nëse ka gjashtë anëtarë mund të punojë pa pengesa, madje deri në katër. Nëse zgjidhet, do të na vinte mirë anëtari. Nëse nuk zgjidhet, ligjërisht mund të punohet edhe me gjashtë anëtarë sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë sepse kjo varet nga Kuvendi”, u shpreh Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.
Nga opozita shqiptare konsiderojnë se kandidati i propozuar nga PDE është jo ligjor për shkak se kjo parti nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e fundit, por edhe se është pjesë e pushtetit për shkak se tani, siç tha Zendeli, ka filluar të marr edhe poste të caktuara drejtorësh. Nëse edhe ditëve në vijim nuk e arrijnë qëllimin, Lidhja Europiane për Ndryshim do të vazhdojë të bojkotojë punën në Kuvend.