Opozita shqiptare vazhdon të kërkojë vendin e lirë në KSHZ. Për këtë qëllim, ata sot takuan kryetarin e ri të Kuvendit, Jovan Mitrevski. I kanë kërkuar që të ndihmojë në zgjedhjen e anëtarit në KSHZ, mirëpo siç thonë, nga takimi nuk kanë dalë optimist. Mitrevski u ka premtuar se do të takojë grupet parlamentare në Kuvend, mirëpo çështja edhe më tej mbetet pa një akord politik. Nëse nuk gjendet zgjidhje, do të vazhdojnë me presion mbi kryetarin e Kuvendit.
“Ky takim i sotëm i joni ishte në drejtim të asaj që ta rrisim presionin ndaj kryetarit të ri të Kuvendit, t’i japim një mundësi që ditëve në vijim të gjendet një farë zgjidhje nga kjo situatë. Jo se ai na premtoi neve diçka se do të bëjë ndonjë zgjidhje. Thjeshtë tha se do të bisedojë me grupet e ndryshme parlamentare. Ne duke pasur parasysh historinë e këtij procesi që zgjatë me muaj të tërë, jo se kemi ndonjë optimizëm por thjeshtë dëshirojmë t’i japim një shans që të gjejë zgjidhje brenda grupeve parlamentare. Nëse ai nuk gjen zgjidhje me siguri se do të vazhdojmë të bëjmë presion.”- deklaroi Fadil Zendeli – LEN.
Grupi parlamentar opozitar shqyrton mundësinë që të ngritë kallëzim penal ndaj kryetares së komisionit për zgjedhje dhe emërime, Marija Georgievska, për zvarritje të procedurës. Kjo e fundit për TV21 tha se nuk mund të thirrë seancë për KSHZ-në për shkak se fillimisht duhet të arrihet akord mes partive politike. Sipas saj, asnjëri kandidat nuk ka siguruar 80 vota dhe për këtë qëllim, nuk ka kuptim të thirret seancë vetëm për debate procedurale.
Pak orë më vonë mbi këtë takim erdhi reagimi i Aleancës për Shqiptarët. Koordinatori i grupit parlamentar të ASH-së, Atnan Neziri, thotë se opozita shqiptare nga paralajmërimet për bojkot tani kanë filluar të lutin kryetarin e Kuvendit. Sipas Nezirit, kjo çështje nuk është në duart e Mitrevskit. Këmbëngulë se vendi vakant në KSHZ nuk i takon opozitës aktuale por Aleancës.
“Jo nuk i takon për shkak se neni 2 i Kodit Zgjedhor lë mundësinë që barometër të jenë zgjedhjet e fundit parlamentare. Atëkohë ai vend i ka takuar ASH-së dhe ai vend vazhdon t’i takojë ASH. Këto nuk kanë qenë opozitë dhe sipas logjikës së kësaj lëvizjeje gjatë procesit të mandatit parlamentar, ne tani edhe VMRO-së duhet t’i themi se nuk ju takon anëtari sepse jeni pjesë e shumicës parlamentare që nuk mbanë logjikë.”- tha Atnan Neziri – Deputet i ASH.
Neziri shton se do t’i mbështesin që të dy kandidatët sepse plotësojnë kushtet. Mirëpo nëse asnjëri nuk siguron 80 vota, atëherë shton se nuk ka asnjë problem që KSHZ të funksionojë edhe me gjashtë anëtarë.
“Janë mbështetur në mënyrë të barabartë dhe të dy kanë të drejtën e garës dhe kanë obligim njëri prej tyre të merr 80 vota. Nëse merr, njëri shkon, nëse jo, atëherë nuk shkon asnjëri dhe KSHZ mbetet me gjashtë anëtarë dhe mund të punojë pa problem.”- pohoi Atnan Neziri – Deputet i ASH.
Se KSHZ mund të punojë pa problem me gjashtë anëtarë, ditë më parë deklaroi edhe vet kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski. Ai shpreson që bordi i KSHZ-së të kompletohet por edhe nëse nuk ndodhë, nuk do të ketë asnjë pengesë ligjore dhe zgjedhjet do të jenë fer dhe demokratike.
