Lehtësim për pacientët onkologjikë, nga gushti terapinë tabletare do ta marrin me receta nga mjeku amë

TË FUNDIT

Pacientët onkologjikë nga të gjitha qytetet e vendit nuk do të kenë më nevojë të vijnë në Shkup, në Klinikën Onkologjike, për terapi tabletare, por nga katër gushti do të mund ta marrin në farmacitë e qyteteve ku jetojnë, nëpërmjet mjekëve amë.

Kryetarja e mjekëve amë Lilija Çollakova Dervishova thotë se në këtë mënyrë do të zvogëlohet numri i udhëzimeve. Sipas saj do të ketë më pak turma në Onkologji, dhe se onkologët do të mund t’u përkushtohen më shumë pacientëve onkologjikë.

“Mjekët amë mund të japin udhëzim deri në gjashtë muaj, sepse gjithsesi kjo është një terapi e shtrenjtë besoj se do të jepet muaj për muaj, sepse edhe diagnoza është specifike, nuk mund të japim diçka para kohe e nuk e dimë kush sa do të jetojë, edhe pse tingëllon vrazhdë ky është realiteti për diagnoza të këtilla. Kështu që në interes të shëndetësisë, në interes të asaj që pacientët të mos malltretohen, ky është një përfitim i madh, secili në qytetin e vet ta marre terapinë. Kjo nuk përjashton mundësinë se nëse pacienti ka përkeqësim të gjendjes, mjeku amë përsëri t’i jap udhëzim dhe të bëhet kontroll”, tha Lilija Çollakova Dervishova – kryetare e Lidhjes së Mjekëve Amë.

Pacientët shprehen të kënaqur nga vendimi dhe se tani do të kenë mundësi të zgjedhin edhe se nga cili prodhues do të marrin terapinë.

“Pas marrjes së raportit nga Onkologjia, barnat do të përshkruhen nga mjekët amë. Si individ dhe si shoqatë, e konsiderojmë këtë ndryshim si jashtëzakonisht të rëndësishëm, veçanërisht për pacientët që vijnë nga qytetet e tjera, të cilët deri tani duhej të udhëtonin në Shkup për ta marrë terapinë. Nga ana tjetër, besojmë se ka rëndësi të madhe që pacientët të kenë mundësinë të zgjedhin se cilin ilaç do të përdorin dhe nga cili prodhues – gjë që deri tani nuk ishte e mundur”, pohoi Ana Marjanoviq – paciente onkologjike, shoqata Hema-Onko.

Edhe nga OJQ “EZRA”  e përshëndesin vendimin dhe presin që kjo të realizohet siç duhet.

“E rëndësishme është që të ketë monitorim të vazhdueshëm të realizimit të hapave të tillë, sepse jemi mësuar që në vazhdimësi janë dhënë premtime të ndryshme mirëpo jo çdo herë janë realizuar, në mënyrën efikase. Uroj që procesi të mos ketë ngecje dhe pacientët të jenë të shërbyer në mënyrë të barabartë, në çdo vend të vendit tonë, me qëllim që t’u lehtësohet atyre kurimi apo trajtimi drejt qasjes së barnave onkologjik”, deklaroi Liridona Beqiri – OJQ “EZRA”.

Pacientët onkologjike që trajtohen me terapi tabletare, konkretisht me anastrozol dhe letrozol, nga data 4 gusht 2025 do të mund ta marrin terapinë e tyre drejtpërdrejt në farmaci, pa pasur nevojë për procedura te ndërlikuara në spitale. Kjo masë e re e prezantuar nga drejtuesit e Fondit për Sigurim Shëndetësor synon të lehtësojë qasjen e pacientëve ne trajtim dhe të shkurtojë kohën e pritjes. Mjafton një raport nga onkologu dhe recete nga mjeku amë për ta tërhequr terapinë ne farmaci, me një participim simbolik prej rreth 50 denarësh.