Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka akuzuar se në sirtarët e komunës janë mbajtur 67 lëndë të legalizuara por që nuk u janë dhënë palëve! Kjo sipas tij ka ndodhur për qëllime korruptive.
“67 aktvendime të plotfuqishme të përfunduara shumë në herët dhe nuk u janë dorëzuar qytetarëve, andaj kjo nuk ka se si të quhet ndryshe përveç se të vërtetojë se si udhëheqësja e kaluar për shkaqe korrupsioni i ka mbajtur peng qytetarët e Tetovës.”- deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Kasami thotë se nga janari e deri më sot janë shqyrtuar 3500 lëndë nga të cilët rreth 2100 kanë mungesë të dokumentacioni dhe deri në fund të afatit ligjor, qytetarët do të duhet që t’i plotësojnë të njëjtat. Në Tetovë 97 objekte nuk i plotësojnë kushtet për t’i legalizuar.
“Në bazë të raportit deri më tash janë 97 që nuk i plotësojnë kushtet për legalizim, dhe për ato objekte përmbyllet procesi, u jepen vendimet dhe vazhdon procedura, atyre objekteve do t’u kërkohet investitorëve që vet t’i largojnë, nëse s’i largojnë vazhdon procedura konform ligjit.”- pohoi Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Në Tetovë të përfunduara me Aktvendime për miratim të legalizimeve janë gjithsej 159 lëndë, ndërsa 338 janë për në proces në Këshillin e Komunës, për shkak të papajtueshmërisë të destinimit të objektit me tokën, ndërsa paraqesin edhe pengesë për interesin publik.
