Leao mund të largohet nga Milani, Fenerbahçe ofron 42 milionë euro për yllin portugez

TË FUNDIT

Fenerbahçe ka bërë ofertën e parë zyrtare për transferimin e sulmuesit portugez Rafael Leao nga Milani, por drejtuesit e klubit italian nuk janë të gatshëm ta pranojnë propozimin aktual.

Sipas raportimeve nga Italia, oferta e klubit turk arrin në 40 milionë euro, plus 2 milionë euro të tjera në formë bonusesh. Formula e propozuar parashikon 5 milionë euro për huazimin dhe 35 milionë euro si detyrim blerjeje në fund të sezonit.

Megjithatë, Milani vlerëson kartonin e Leaos më lart dhe kërkon rreth 50 milionë euro, ndërsa preferon edhe një formulë tjetër të marrëveshjes. Zyrtarë të Fenerbahçes kanë udhëtuar në Itali për të zhvilluar bisedime me drejtuesit kuqezi dhe përfaqësuesit e lojtarit.

Nga ana tjetër, Leao raportohet se është i gatshëm të nënshkruajë një kontratë me vlerë 12 milionë euro në sezon me Fenerbahçen, pothuajse dyfishin e pagës që përfiton aktualisht te Milani. Negociatat mes palëve pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse klubi turk do ta rrisë ofertën për të bindur “Rossonerët”.