Larja e xhamave në semaforë, dukuri e zakonshme/Ministri Saliu: Duhet mbështetje sistematike për komunitetet vulnerabël

TË FUNDIT

Pastrimi i xhamave të veturave nëpër semaforë nga të rinj është bërë fenomen në rritje. Sikur në qytetet tjera, por kryesisht në Shkup, në udhëkryqet më të frekuentuara të kryeqytetit, shumë të rinj të komunitetit romë, vendosin që kafshatën e gojës ta nxjerrin duke zëvendësuar fshesat e xhamave. Ata për këtë shërbim kërkojnë edhe ndonjë denarë. Në komunikim prapa kamerave thonë se brenda një dite arrijnë të mbledhin nga 1,000-1,500 denarë secili. Thonë se e bëjnë për idare dhe se nuk mund të gjejnë tjetër punë.


Për këtë çështje e pyetëm Ministrin pa portofol, Shaban Saliu, i cili tha se sigurimi i punës së përhershme dhe integrimi i familjeve nga grupet vulnerabël, veçanërisht nga komuniteti romë, do të eliminojë fenomenet devijuese, siç është ajo që ndodh në kryqëzimet në qytete ku fëmijët dhe të rriturit përpiqen të sigurojnë jetesën duke larë xhamat e makinave.

 “Edhe mua personalisht më pengojnë ato dukuri asociale, bëjmë përpjekje, dhe kam dëgjuar në trupin koordinues që flitet për disa ndryshime ligjore për anashkalimin e atyre dukurive asociale. Jemi të hapur për bashkëpunim me Ministrinë për politikë sociale ti eliminojmë ato fenomene. Ka një shprehje kineze që thuhet se të varfërit mos i jep peshkun, por jepi shtizën ta peshkoj vetë ushqimin”, tha Shaban Saliu, Ministër pa portofol përgjegjës për integrimin e Romëve.

Sipas tij, arritjet më të mëdha kanë qenë në integrimin në arsim, dhe është punuar edhe në qasjen e shërbimeve shëndetësore dhe projekte specifike që synojnë sigurimin e strehimit të punësimit. Ministri Saliu tha se këtë vit shkollor janë regjistruar mbi 150 romë në shkollat fillore dhe të mesme.

 “Romët në Maqedoni janë liderë në të gjitha sferat, këtë nuk e them për tu lavdëruar por kemi të dhëna precize sa romë janë të evidentuar, sa romë punojnë dhe askund në botë nuk ka një ministër romë. Në këtë drejtim shteti ynë është lider”, theksoi Shaban Saliu, Ministër pa portofol përgjegjës për integrimin e Romëve.

Në konferencë për media, Ministri Saliu, duke raportuar mbi punën e bërë gjatë vitit të kaluar, vlerësoi se rrugët për integrimin e drejtpërdrejtë sistemik të romëve në të gjitha sferat e jetës janë të hapura.