Qytetarët të cilët duan të kenë më shumë informacione mbi ndihmat shtetërore që jepen për bizneset, thirrjet për grante, investitorët e huaj të cilët janë të interesuar për investim në vendin tonë, ndihmë dhe informacione që nga sot mund t’i kërkojnë nga ADA asistentja digjitale cila është e bazuar në inteligjencë artificiale.
“Unë jam ADA, asistentja e parë digjitale e qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Mund të ju ndihmoj me informacione që kanë të bëjnë me thirrjet aktive te FIZHT dhe me mbështetjen financiare që bien nën ligjin për financiare dhe zonave ZHTI edhe atë në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze. Jam këtu për t’u përgjigjur pyetjeve rreth programeve të disponueshme për ndihmë shtetërore të qeverisë të RMV-së. Një ashtu mund t’ju ndihmojë të aplikoni për një thirrje të caktuar që të kontrolloni përshtatshmërinë e kompanisë suaj për ndonjërën prej thirrjeve të hapura”.
ADA flet në tre gjuhë, shqip, maqedonisht dhe anglisht, ndërsa është në dispozicion 24 orë për t’u përgjigjur në më shumë se 260 pyetje. Drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, Festim Halili tha se ADA mund të gjendet në ueb-faqen ada.gov.mk, i cili do të jetë i qasshëm për të komunikuar edhe në Viber, Facebook-messanger, por edhe në ueb-faqet e institucioneve.
“Është i disponueshëm në një ueb faqe. Ka një QR code që e quajmë ne, mund të skanohet QR kodi dhe mundet nëpërmjet rrjeteve sociale që qytetarët të komunikojnë me ADA-n dhe t’i parashtrojnë të gjitha pyetjet e nevojshme që i kanë për të shfrytëzuar këto ndihma shtetërore që jepen dhe në veçanti grantet që ofrohen nga Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik ku gjatë këtij viti ne parashohim të kemi diku 4 thirrje më të mëdha publike për kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme”- deklaroi Festim Halili, Drejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik.
Zv/kryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi tha ADA do t’u ndihmojë qytetarëve, por më së shumti bizneseve të huaja të cilat janë të interesuara për të investuar në vendin tonë.
“ADA për dallim nga thashethemet që sektori publik nuk është efikas, do të jetë në dispozicion 24/7. Do të mund të shërbejë numër të pakufizuar të shfrytëzuesve në të njëjtën kohë, pa pritje dhe pa pasur nevojë transferim nga një institucion, në tjetrin dhe të gjithë do të marrin informata të njëjta, që është thelbësore për largimin e hapësirës për manipulim me informatat e njëjta”- tha Fatmir Bytyqi, Zv/Kryeministër për Cështje Ekonomike.
Sipas ministrit për Shoqëri Informatike dhe Administratë Azir Aliu, asistentja e parë digjital e bazuar në inteligjencën artificiale ADA do të mundohet të zvogëlojnë korrupsionin në vend.
“E dimë që digjitalizimi në shtetin tonë, po edhe në përgjithësi njihet si formë trend jo vetëm për ofrimin e shërbimeve në kohë reale por gjithashtu edhe për zvogëlimin e korrupsionit në atë nivel. Kështu që besojmë thellë që në formën e këtyre shërbimeve digjitale ne do të mundohemi të optimiziojmë dhe të zvogëlojmë edhe këtë pjesë në shtetin tonë”- tha Azir Aliu, ministër i Administratës dhe Shoqërisë Informatike.
Për zhvillimin e programit ADA, FIZHT ka ndarë 9 milionë denarë, ndërsa sipas autoriteteve ky projekt paraqet fillimin e ndryshimeve teknologjike në vend.
