“Lagja e Trimave”, kërkohet shfuqizim i dënimeve! Avokatët: Të dënuarit nuk janë organizatorë të ngjarjeve

TË FUNDIT

Teksa jashtë forcat policore po siguronin  Gjykatën Supreme, brenda të dënuarit e Lagjes së Trimave po bëheshin gati të ankoheshin para gjykatësve të Gjykatës Supreme. 7 të dënuarit më burg të përjetshëm në ngjarjet e Kumanovës nëpërmjet avokatëve të tyre kërkuan shfuqizimin të vendimit të shkallës së dytë të Gjykatës së Apelit dhe rikthimin e lëndës nga e para. Pala mbrojtëse ankohen për lëshime gjatë procedurës gjyqësore. Thonë se nuk kanë mundur të prezantojnë prova dhe nuk kanë mundur të realizojnë biseda me dëshmitarë.

 “Është e mjaftueshme që Gjykata Supreme ta shoh CD-në që nga fillimi e deri në fund. Ngjarja për fat të mirë është e gjitha e incizuar dhe do të vërtetohet ajo që mbrojtja gjatë gjithë kohës insiston se bëhet fjalë për kurth. Është e qartë se shërbimet e sigurisë kanë mundur ta parandalojnë ngjarjen sepse personat nuk kanë ardhur aty për aty, por kanë qenë këtu 1 javë ose me shumë para ngjarjes fatkeqe”, tha avokati Naser Raufi.

Sipas avokatëve, të dënuarit nuk janë organizatorë të ngjarjeve në Kumanovë, ndërsa Prokuroria në aktakuzë nuk e ka motivin e ngjarjeve të përgjakshme.

 “Për mendimin tim organizatorët e kësaj ngjarje dhe ngjarjet e 27 prillit janë të njëjtë. Që të vijnë në pushtet krijuan  përçarje, gjuajte e kufizuara, luftë e vogël e organizuar dhe kush e ka bërë këtë, duhet ta vërtetojë gjykata”, u shpreh Ljupço Veselinovski – avokat.

Veselinovski thotë se bartës të funksioneve të larta në shtet pohonin se do të prezantojnë dëshmi të reja për “Lagjen e Trimave”, por tani heshtin.

 “Dua t’i theksoj edhe disa punë, presidenti i tanishëm Pendarovski dhe drejtori i Agjencisë për zbulim, në disa deklarata para mediave kanë thënë se do të sigurojnë dëshmi të reja dhe ngjarjet në Lagjen e Trimave, nuk janë ashtu siç dihen dhe se për këtë kanë dëshmi. Tani dëshmitë nuk janë askund, për atë duhet të hapet lëndë e re se kush janë organizatorët e ngjarjes”, shtoi avokati Ljupço Veselinovski.

Për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015, 33 persona janë shpallur fajtorë për veprën terrorizëm. Gjykata e Apelit e konfirmoi vendimin e Gjykatës Penale me çka shtatë persona u dënuan me burg të përjetshëm, 13 nga 40 vite, gjashtë nga 20 vite, një person me 18 vjet burg kurse dy persona me 13 dhe 14 vjet. Në ngjarjet e Kumanovës, jetën humbën e tetë policë dhe 10 anëtarë të grupit të armatosur.