“Ky nuk është çlirim, por krim i luftës”/ BE-ja me pako të re sanksionesh për Rusinë dhe Putinin

TË FUNDIT

Varrezat masive dhe trupat e pajetë të civilëve nëpër rrugët e qytetit ukrainas Buça, është arsyeja që BE-ja të vendosë pako të re sanksionesh kundër Rusisë dhe Putinit.


PAKOJA E RE SANKSIONESH NGA BE-ja KUNDËR RUSISË:

-Ndalohet importi i qymyrit nga Rusia në vlerë prej 4 miliardë eurove në nivel vjetor,

-Ndalim i tërësishëm i transaksioneve për katër bankat kryesore ruse,
-Ndalesë që anijet ruse të kenë qasje deri te portet e BE-së dhe ndalesë për transportuesit rusë dhe bjellorusë në trafikun rrugor,
-Ndalesa të mëtutjeshme për eksport në vlerë prej 10 miliardë eurove në fushat kyçe,
-Ndalesa të reja për import, në vlerë prej 5,5 miliardë eurove,
-Ndalesë për pjesëmarrje të kompanive ruse në furnizimet publike dhe përjashtim nga çdolloj mbështetjeje financiare.

BE-ja tani për tani nuk planifikon të shqiptojë sanksione për naftën dhe gazin. Që të miratohet pakoja dhe ndalesa për import të qymyrit, do të duhet mbështetje nga të gjitha 27- vendet-anëtare.

Gjatë fjalimit të tij, kryetari i Këshillit Evropian, Sharll Mishell, porositi se BE-ja nuk do t’ua kthejë shpinën krimeve të luftës dhe vrasjeve në Ukrainë.

Prova për krimet e luftës dhe vrasjet, janë kufomat e shtrira nëpër rrugët dhe varrezat masive…. Ky nuk është operacion special, këto janë krime lufte. Por, BE-ja nuk do ta kthejë shpinën, do ta shohim realitetin në sy. Gjithsesi se do të ketë pasoja për të gjithë që janë përgjegjës”, theksoi Sharll Mishell,
kryetar i Këshillit Evropian.

Kryetarja e Komisionit Evropian thotë se të gjithë e kanë të qartë se ky nuk është një operacion i veçantë për çlirim.

“Kjo po ndodh kur ushtarët e Putinit e pushtojnë territorin e Ukrainës. Ata, pushtimin e quajnë çlirim. Jo, ne e quajmë krim të luftës  dhe me të vërtetë duhet të quhet kështu. BE-ja është e gatshme që t’i  bashkëngjitet ekipit për hetim dhe mbledhje të provave në Ukrainë dhe për dëshmi nga terreni“, tha Ursula Von der Lajen, kryetare e KE-së.

Prokurorët ukrainas thonë se hetojnë thuajse 5000 krime ruse të luftës pasi doli në pah tmerri nga krimet në qytetin ukrainas Buça. Avokatja ukrainase e popullit për të drejta te njeriut, Ludmila Denisova tha se mes 150 dhe 300 trupa të pajetë ndoshta gjenden në varrezën masive pranë kishës në qytetin Buça. Ajo nuk zbuloi se si autoritetet kanë arritur deri në këtë vlerësim.

Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh tha se asnjëherë nuk do t’i harrojë pamjet e tmerrshme me civilët e vrarë në Buça. Duke folur në Këshillin e KB-së për siguri në Nju Jork, ai tha se lufta në Ukrainë është një prej sfidave më të mëdha deri më tani për përparimin ndërkombëtar.

Kremlini, nga ana tjetër, pohon se informacionet se forcat ruse kanë bërë krime të luftës me ekzekutim të civilëve në Buça, janë falsifikim monstruoz, qëllimi i të cilit është njollosja e armatës ruse.