“Kuvendi për qytetarët”, e qytetarët as nuk duan të dëgjojnë për deputetët

TË FUNDIT

Përmbyllja e fushatës “Kuvendi për qytetarët” që u mbajt në parkun “Gruaja Luftëtare” kaloi pa qytetarë. Edhe pse ideja ishte që deputetët të realizojnë kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët, këta të fundit e anashkaluan ngjarjen. Askush prej tyre nuk kishte mendim pozitiv për funksionarët e Kuvendit dhe mënyrën e punës së deputetëve.

-As nga Qeveria, as nga Kuvendi, e as nga deputetët. Katastrofë. As deputetët, e as Kuvendi nuk janë ashtu siç duhet të jenë. Fatkeqësisht, Maqedonia këtë po e përjeton. Nuk ka asgjë të mirë, fatkeqësisht po bëhet gjithnjë e më keq.

-120 deputetët aq sa janë punojnë për vetveten, nuk punojnë për popullin.

Një pjesë e deputetëve janë këtu… I shoh, i shoh, desha t’u them se e gjithë kjo do të jetë kot.

-Çka t’ju them. Nuk mund t’i gjej fjalët për ta përshkruar sa e kënaqur jam. Fare nuk jam e kënaqur. Asgjë nuk u mjafton, turp. As për pensionistët, as për këtë apo atë, nuk kujdesen për askënd, vetëm për vetveten.

-Na futën në varfëri më të madhe. A ka një të keqe më të madhe prej kësaj, të drejtat na i shkurtuan, dyert na i mbyllën, ndërsa për dikë gjithçka është e hapur.

Deputetët, si të pushtetit edhe ata të opozitës, janë të vetëdijshëm se rejtingu i tyre te qytetarët është në nivel të ulët, sidomos kur grinden dhe ofendohen në Kuvend.

“Mendoj se duhet të flasim në mënyrë të hapur se perceptimi për punën e Kuvendit te qytetarët nuk është pozitiv. Absolutisht është e palejueshme, unë shpeshherë në paraqitjet e mia theksoj se është e palejueshme që të debatohet në këtë mënyrë në Kuvend. Kur shikojnë qytetarët se si debatohet në Kuvend, çfarë mesazh u dërgojmë ne?”, theksoi Sanella Shkrieli, deputete LSDM.

“Siç e dimë, Kuvendi ka rejting relativisht të ulët, sipas hulumtimeve të caktuara, rejting më të ulët si institucion kur bëhet fjalë për besimin që e ka te qytetarët. Kur fillohet me ofendime personale, atëherë debati humbet. Normal se qytetarët e ndryshojnë programin në televizor ose aspak nuk interesohen ta ndjekin debatin kur do të fillojmë me ofendime personale që, më duhet të pranoj, se shumë shpesh ndodhen në Kuvend”, pohoi Rashela Mizrahi, deputete VMRO-DPMNE.

Ditëve të kaluara karvani parlamentar u mbajt në 13 qytete ku deputetët zhvilluan takime me qytetarët.