Kuvendi miratoi konkluzionet për propozimin francez. Qeverisë i hapet rruga për të thënë “po” para Bashkimit Evropian

TË FUNDIT

“Propozim-përfundimet të dorëzuara nga deputetët Jovan Mitrevski dhe Arbër Ademi i vendos në votim. Ju ftoj të votoni”, tha kryeparlamentari Talat Xhaferi.

Nga 69 të pranishëm, 68 deputetë votuan “për”, asnjë kundër e as të përmbajtur. Ai që nuk votoi ishte partneri i shumicës Pavle Trajanov.

Kështu Kuvendi miratoi përfundimet e propozuara mbi propozimin francez.

 “Konstatoi se Kuvendi miratoi përfundimet e propozuara”, tha Xhaferi.

Opozita shqiptare votoi “pro”, por jo edhe ajo maqedonase, VMRO-DPMNE-ja dhe Levica.

Me këtë përfundoi seanca ku për 3 ditë u debatua mbi propozimin francez.

I pari që e uroi kryeministri Dimitar Kovaçevski ishte kreu i BDI-së Ali Ahmeti.

Edhe sot seanca ishte e nxehtë, me përplasje mes deputetëve të shumicës dhe opozitës.

Surlet vazhduan edhe sot.

Për të shmangur zhurmat e surleve, kryeministri Kovaçevski edhe sot vazhdoi leximin e librit që e nisi dje.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski tha se kjo që po ndodh sot është krim mbi gjithë popullin dhe një poshtërim i tillë nuk ka ndodhur asnjëherë.

“Çka fitojmë nga kjo? Nga njëra anë poshtërim të rënd kombëtar. Për turp u bëmë si popull, i gjithë Ballkani të qeshet me ne dhe të luajnë me ne, nga ana tjetër mjegull, premtime boshe dhe rënie supeve. Për fat të keq kjo është e vërteta që po e shohim këto 3 ditë”, tha Aleksandar Nikollovski nga VMRO-DPMNE.

Nikollovskit ia ktheu deputetja e LSDM-së e cila u pengua nga zhurma opozitare.

 “Më vjen shumë keq që nuk arritët të tejkaloni vetën dhe të zgjasni dorën, të zgjasim dorën që bashkë të mbështesim diçka që mund të na çojë vetëm përpara. A është ky propozim ideal? Sigurisht që jo! A kemi probleme shekullore në raportet tona me Bullgarinë? Po, dhe jo vetëm me Bullgarinë. Në këtë territor, ky popull ka përjetuar shumë,  shumë luftëra ka kaluar, por a duhet ende të vuajmë?, tha Snezhana Kalevska- Vaçevska nga LSDM.

Fjalën kundër propozimi francez e mori edhe deputeti i Levicës, Borisllav Kërmov.

“Nuk bëhet fjalë për anëtarësim të Maqedonisë në BE. Bëhet fjalë për fillim të negociatave të Shqipërisë, ne do të bllokohemi përgjithmonë që asnjëherë të mos hymë në BE. Jo rastësisht ky është propozim francez sepse Franca është kundërshtarja më e madhe e zgjerimit të Unionit Evropian, tha Borisllav Krmov nga Levica. 

Kur fjalën e mori koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Jovan Mitrevski nuk kishte kush t’i pengojë sepse opozita e kishte lëshuar sallën.

 “Nuk është për herë të parë që ata ikin nga salla. Folën kundër Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe ikin, folën kundër Marrëveshjen së Prespës dhe ikën, folën kundër ndryshimeve kushtetuese dhe ikën edhe këto dy ditë nuk folën për fishkëllyen sepse të gjithë gënjeshtrat e tyre janë zhytur në ujë”, tha Jovan Mitrevski nga LSDM.

Gjatë debatit të sotëm i pranishëm ishte euroambasadori Dejvid Gir dhe disa ambasadorë të tjerë. Konkluzionet që miratoi sot Kuvendi detyrojnë Qeverinë që gjatë gjithë procesit negociues me Bashkimin Evropian të respektohen pa kushte veçoritë e gjuhës, identitetit dhe kulturës e popullit maqedonas.