Kuvendi mban dy seanca, në rend dite zgjedhja e Meri Dika Georgievskës për gjyqtare kushtetuese

TË FUNDIT

Në seancën e 97-të, deputetët pritet të votojnë për propozimin që gjyqtarja e Gjykatës së Apelit në Shkup, Meri Dika Georgievska, të zgjidhet gjyqtare e re e Gjykatës Kushtetuese, përcjell TV21. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka 7 nga gjithsej 9 gjyqtarë, që do të thotë se i mungojnë dy anëtarë për të qenë në përbërje të plotë. Një vend ka mbetur vakant pas dorëheqjes së gjyqtarit Goce Naumovski, ndërsa për vendin tjetër pritet votimi në Kuvend i Meri Dika Georgievskës, e propozuar nga Këshilli Gjyqësor.

Nëse emërimet nuk bëhen në kohë, situata mund të ndërlikohet edhe më tej, pasi më 11 janar 2027 u përfundon mandati dy gjyqtarëve të tjerë, Osman Kadriut dhe Darko Kostadinovskit, i cili aktualisht është edhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, në seancën e 119-të janë në rend dite dy projektligje që lidhen me kredi nga Banka Botërore. Projektligji për ndryshimin e Ligjit për huamarrjen nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (Banka Botërore) për projektin e ndërtimit të institucioneve efektive, transparente dhe llogaridhënëse për menaxhimin e financave publike parasheh anulimin e pjesës së pashfrytëzuar të kredisë në vlerë prej 19,2 milionë euro. Për këtë qëllim, Maqedonia e Veriut dhe Banka Botërore do të nënshkruajnë një amendament të marrëveshjes së huasë.

Në rend dite është edhe projektligji për një kredi të re prej 25 milionë euro, e destinuar për zbatimin e reformave në menaxhimin e financave publike. Qëllimi është modernizimi i sistemit të buxhetimit, kontabilitetit, mbikëqyrjes së ndihmës shtetërore dhe administrimit tatimor, në përputhje me Ligjin e ri për Buxhetin dhe programet reformuese për periudhën 2025–2028.

Kredia do të ketë afat shlyerjeje prej 12 vjetësh, me 3 vjet grejs periudhë, ndërsa norma e interesit do të bazohet në EURIBOR gjashtëmujor me marzh variabil. Shlyerja do të bëhet në 18 këste gjashtëmujore, që do të paguhen çdo 15 janar dhe 15 korrik.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu edhe propozim-vendimin për shpalljen e konkursit publik për emërimin e një anëtari të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, si dhe Projektligjin për zbatimin e projektit “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”, me procedurë të shkurtuar.