Qendra për Menaxhim me Kriza njofton se deri në orën 13:00 janë regjistruar 13 zjarre në hapësirë të hapur në vend. Prej tyre, 9 janë aktive, 3 janë nën kontroll, ndërsa një zjarr është shuar.
Zjarre aktive ka në Resnjë, Saraj, Zelenikovë, Çashkë, Bogovinë, Vrapçisht, Novosellë, Strugë dhe Krivogashtan. Mes tyre janë edhe zjarret në Podmoçan të Resnjës dhe Kopanicë–Radushë të Sarajit, ku përfshihen sipërfaqe pyjore.
Ndërkohë, zjarri në Pelister, i cilësuar si më i vështiri dhe më kompleks deri tani, është vënë nën kontroll të plotë. Drejtori i DMSH-së, Stojançe Angelov, tha se në shuarje u angazhuan forca të mëdha, përfshirë helikopter të ushtrisë, aerotraktorë, zjarrfikës nga disa rajone dhe vullnetarë.
“Bëhet fjalë për një nga zjarret më të vështira pyjore këtë sezon. Qëllimi ynë është që, nëse nuk arrijmë ta shuajmë, të paktën ta ngadalësojmë përhapjen e tij dhe të mos lejojmë që zjarri të depërtojë në pyllin cilësor të Parkut Kombëtar “Pelister”. Në terren janë zjarrfikësit lokalë nga Resnja, me mbështetje të fuqishme nga disa zjarrfikës nga Manastiri. Të angazhuara janë edhe ekipet e DMSH-së, përkatësisht ekipet e zjarrfikësve me pesë automjete “Pinzgauer”, si dhe ekipe të përbëra nga zjarrfikës vullnetarë. Këtë mëngjes kërkova edhe ekipe nga “Pyjet Kombëtare”, të cilat sot do të marrin pjesë në shuarjen e këtij zjarri”, tha Angellov.
