Kuvendi e miratoi rebalancin me mbështetje prej 470 milionë euro për ndikimin nga kriza

TË FUNDIT

Rebalanci i buxhetit dedikuar për mbështetjen e qytetarëve dhe ekonomisë nga pasojat e krizës së kovidit sonte ka marrë mbështetjen e Kuvendit. “Për” kanë votuar 55 deputetë, “kundër” nuk ka pasur, ndërsa “të përmbajtur” 26 deputetë.

Miratimi i saj e hap mundësinë e realizimit të pakos së katërt të masave prej 470 milionë euro dedikuar për qytetarët dhe ekonominë.

Sipas ministrit të Financave, Fatmir Besimi i cili ka shpjeguar propozimin para Kuvendit ka thënë se efekti i pakos së katërt të masave antikrizë varet nga miratimi i këtij rebalanci dhe se me të sigurohen mjete për realizimin e masave.

Me rebalancin janë paraparë 4,3 miliardë denarë për mbështetjen financiare për pagesën e pagës së të punësuarve në sektorin privat me kompensim në interval prej 14.500 deri në 21.776 denarë, në kompani të cilat kanë ulje më të madhe të të ardhurave si pasojë e pandemisë, 1,6 miliardë denarë për mbështetjen financiare për kategoritë e cenueshme të goditura nga KOVID-19 për pagesën e produkteve vendore dhe shërbimeve tek sektorët e goditur, 412 milionë denarë për Mbështetjen e prodhuesve, përpunuesve dhe eksportuesve të rrushit, verës, 9,8 milionë denarë për mbështetjen e veprimtarisë udhëheqës turistik, të regjistruar si ushtrues të pavarur të veprimtarisë, 120 milionë denarë për kthimin taksës turistike për vitin 2019, për bujtje të realizuara, 66,85 milionë denarë kthim për Fundjavë pa TVSH, 700 milionë denarë për skemën shtetërore garantuese dhe Garanci doganore përmes Bankës Zhvillimore me çka ofrohet mundësi shtesë për qasje më të lehtë në mjetet financiare për mbështetjen e sektorit privat, përmes ndërmarrjes së një pjese të rrezikut kreditor dhe 330 milionë denarë për grante për agjenci turistike, kënde për argëtimin e fëmijëve dhe restoranteve për dasma.

Në rebalancin e ri, të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 196.3 miliardë denarë, shpenzimet në 252.8 miliardë denarë ose 5,5 për qind më shumë se krahasuar me buxhetin fillestar për vitin 2020, ndërsa deficiti pozicionohet në 56,5 miliardë denarë, respektivisht 8,5 për qind të BPV-së. Shpenzimet kapitale janë planifikuar në nivel prej 19,1 miliardë denarë ose për 0,5 miliardë denarë janë më të ulëta se plani për vitin 2020.

Me rebalancin e propozuar të ardhurat janë më të ulëta për 0,2 për qind në raport me rebalancin e parë, shpenzimet janë më të larta për 4,2 për qind, ndërsa deficiti është rritur për 22,6 për qind në krahasim me rebalancin e parë.

Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 196,4 miliardë denarë, shpenzimet në 253 miliardë denarë ndërsa deficiti është pozicionuar në shumë prej 56,6 miliardë denarë gjegjësisht 8,4 për qind të BPV-së.

Me amendamentet e pranuara me këtë rebalanc i cili është i dyti gjatë vitit është siguruar mbështetje financiare për fëmijët pa prindër, skicimi i sektorëve strategjik industrial në rajonin e Ohrit, ndërtimi i një pjese të krahut të tretë për sistem ujësjellësi në fshatin Likovë dhe furnizimi me ujë në Reçicë të Vogël, përfundimi i stacionit të filtrimit në Shtip dhe Karbinci, restaurimi i urës në fshatin Ulancë, mjete plotësuese për mirëmbajtjen e lokaliteteve arkeologjike dhe mjeteve për organizimin e oficerëve rezervë.

“Qindra mijëra qytetarë dhe mijëra ndërmarrje presin nga Kuvendi ta miratojë këtë rebalanc në mënyrë që të mund t’i thithin masat nga pakoja e katërt që do t’ua lehtësojnë efektet nga kriza dhe do t’u ndihmojnë me përballjen e kësaj vale të dytë që është duke ndodhur”, tha ministri në debatin.

Për deputetët e pushtetit rebalanci siguron ndihmë në kohë dhe efikase për punëtorët, kategoritë e rrezikuara, por edhe kompanitë e goditura nga kriza e koronës. Pakoja e katërt arrin 470 milionë euro ndihmë për qytetarët dhe ekonominë.

Për deputetët e opozitës ajo nuk do të japë rezultatet që priten dhe se mbështetja si edhe në ato paraprake do të jetë më e vogël.

Para votimit ka pasur më shumë vërejtje procedurale.