Kuvend, miratohet deklarata që dënon agresionin rus ndaj Ukrainës

TË FUNDIT

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi Deklaratën për dënimin e sulmeve luftarake që cenojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, përcjell TV21. Deklarata u miratua me 100 vota “për”, dy “kundër” dhe një abstenim. Deklarata ishte propozuar nga Partia Liberal Demokrate.

Gjatë arsyetimit, deputetja Monika Zajkova tha se në histori njerëzimi ka qenë dëshmitarë i shumë luftërave, por çmimin më të lartë e kanë paguar njerëzit e thjeshtë.

“Shpesh herë gjendemi në situatë që të kemi prioritete të ndryshme në Kuvend, por shpresoj se kësaj here do të jemi të bashkuar në atë se lufta në asnjë rast nuk është metodë për zgjidhjen e kontesteve. Shtëpia ligjvënëse, si institucioni më i lartë në një demokraci parlamentare nuk duhet të heshtë për ndodhitë dhe duhet urgjentisht të dënojë agresionin ushtarak që po ndodh në zemrën e Evropës dhe të tregojë angazhimin e qartë për respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës”, deklaroi Zajkova.