Kuvend, debat i nxehtë për Ligjin e Lojërave të Fatit/ Asociacionet paralajmërojnë protesta masive

TË FUNDIT

Atmosferë e tensionuar në debatin e sotëm në Komisionin për çështjen europiane rreth ndryshimit të Ligjit për lojëra të fatit. Opozitarja VMRO-DPMNE parashtroi amendamente të cilat në fakt janë kërkesë e Asociacionit të organizuesve të lojërave të fatit dhe Asociacionit të bastoreve sportive, të cilat u hodhën poshtë. Në mbrojtje të ligjit doli kryetari i Komisionit, Arbër Ademi, i cili tha se këto ndryshime janë në funksion të mbrojtjes së fëmijëve dhe largimit të kazinove nga shkollat, ndërsa akuzoi se me amendamentet kërkohet ulja e distancës së tyre.

“Mjafton të shihni amendamentin të cilin ju e keni parashtruar, VMRO-DPMNE, me numër të arkivuar 80/8 ku theksoni se ulet distanca prej 500 metra në 250 metra distancë nga shkollat. Amendament të tillë dorëzuan nga VMRO-DPMNE-ja distanca prej 500 metrave është shumë e madhe dhe tani do ta ulim. Unë them tjetër gjë, sipas logjikës suaj, të hapim kazinotë edhe në shkollat fillore dhe të mesme.”- deklaroi Arbër Ademi, Kryetar i Komisionit për Çështje Europiane.

Bojan Stojanovski, nga VMRO-DPMNE tha se ky ligj është i kontestueshëm dhe skandaloz dhe fare nuk ka pika të përbashkëta me ligjvënien europiane, se është gënjeshtër se me atë mbrohen fëmijët, por edhe në funksion të pasurimit të kompanive të lidhura me Artan Grubin dhe anëtarët e BDI-së.

“Lotaria shtetërore ka marrë me qira një ish restorant për dasma për 2.6 milion euro, a e dini kush është pronari? Një zotëri nga grupi i juaj i deputetëve dhe rrethi i tij më i ngushtë, Policia financiare hapi procedurë para-hetimore. Një kumanovarë 19 vjeç do ta furnizojë me aparate për bixhoz Lotarinë shtetërore. HEJ SHPKNJP nga Bela Grubi përmes Mashoviq deri te Jahoski. Udhëheqës i .parë i HEJ SHPKNJP është kushërira e Grubit.”- tha Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE

Dhe përderisa vijonte seanca në Komision, para Kuvendit u mbajt protestë e dy asociacioneve të organizatave të lojërave të fatit. Ata paralajmëruan protesta masive si parandalim i fundit që të mos votohen ndryshimet ligjore dhe akuzojnë se është për interesat personale të individëve të pushtetit.

“Nëse nuk i pranojnë argumentet tona, paralajmërimet, do të vijojnë protesta masive dhe forma tjera demokratike për shprehjen e pakënaqësisë. Thjeshtë, nga një gjë me automatizëm po krijohet diçka tjetër. Nëse deputetët me të vërtetë janë të bindur se këto ndryshime janë për mbrojtjen e të rinjve, e jo siç pohojmë ne për mbylljen e objekteve legale për lojëra të fatit për shkak të plotësimit të biznes apetiteve të të tjerëve.”- pohoi Goran Stojmenov, AOLF.

“Sjellja e ligjit të dëmshëm nuk është asgjë tjetër përveç hapjes së ekonomisë gri, që është më alarmante dhe mbrojtja e biznes interesave të individëve të pushtetit. Dëshiroj që qartë të them dhe të porosis se cili është qëllimi kryesorë i këtij ligji. Qëllimi i këtij ligji është që të mbyllen kompanitë legale vendase që të mundet Qeveria përmes online faqeve me kompanitë e huaja nga Bullgaria të marrin biznesin.”- tha Vasko Ilievski, ABSM.

Në të njëjtën kohë, Lëvizja Anti-bixhoz vlerëson se ligji i propozuar është i mirë dhe duhet të sillet. Përmes kumtesës i bëjnë thirrje deputetëve që të mos e bllokojnë ligjin dhe sa më shpejtë ta miratojnë për shkak se, siç thonë, ato janë votuar nga populli e jo nga kazinotë.