Javën që vjen Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë kërkesën për vlerësim të vendimit për shpërndarjen e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Në fakt janë dy skenarë të mundshëm, të shfuqizohet vendimi për shpërbërjen e parlamentit ose të shfuqizohet vendimi për zgjedhjet e 12 prillit, afat që tashmë ka kaluar dhe zgjedhjet nuk u mbajtën për shkak të pandemisë.
Nga ana tjetër Lidhja Socialdemokratike e Zoran Zaevit tashmë 10 ditë po pret nga kryeparlamentari Talat Xhaferi përgjigje për kërkesën e rimbledhjes së Kuvendit. Me shumë gjasa përgjigje me shkrim s’do të ketë, ndërsa kreu i Kuvendit me rregullore nuk është i obliguar të përgjigjet. Megjithatë ai tashmë e ka dhënë qëndrimin e tij se Kuvendi i shpërbërë nuk mund të rimblidhet.
E nëse Xhaferi vlerëson kështu, juristë të ndryshëm kanë mendime të ndyshme. Kushtetuta nuk e rregullon qartë dhe prerë se ç’duhet bërë në një rast të këtillë. Pengesë ligjore për mbledhjet e Kuvendit nuk ka. Kështu ditë më parë profesori i drejtësisë Gordan Kallajxhiev i tha TV21 se Kuvendi do të mund të mblidhej edhe vetëm në bazë të iniciativës së deputetëve.
Gordan Kallajxhiev, profesor universitar:
TV21- Pa ndonjë vendim të Kryetarit të Kuvendit?
-Pa kryetarin, po… Ne kemi pasur situata ku indivitë pavarësisht funksionit që e mbajnë, si kryetari i shtetit që ishte, ose tani kryetari i Kuvendit, nuk do të duhej të lejonin të bëhen pengesë e funksionimit pa pengesë të demokracisë parlamentare”.
I pyetur për këtë mendim, Xhaferi me përgjigje:
“Për fat të keq këtë mendim e dëgjoj nga akademikë, njerëz të sferës akademike. Ajo nuk është e mundshme. Ajo është klasike grushtshtet për faktin se përbërja 2016/2020 e shpërbërë me vendimin e deputetëve me 108 vota seancën konstituive për verifikim të mandatit e ka pasur më 30 dhjetor të vitit 2016 dhe nuk ka rikonstituim të një subjekti të shpërbërë”, tha Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.
Socialdemokratët, duke u bazuar edhe ata në mendimin e ekspertëve, thonë se s’kanë ndërmend të mblidhen në Parlament pa vendim të kryetarit.
“Askush nuk ka pretenduar dhe nuk ka në plan të mblidhet vetë pa thirrë parlamentin Kryetari i Parlamentit”, tha Muhamed Zekiri, nënkryetar i LSDM-së.
Zekiri thotë se i takon kryeparlamentarit të thirrë ose jo Kuvendin, ndërsa shton se Xhaferi varësisht rrethanave të mëtejshme do të mbajë përgjegjësi për vendimin e tij për mos thirrje të seancës së jashtëzakonshme.
Këtë seancë e kanë kërkuar 35 deputetë të partive parlamentare, përveç atyre të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së që nuk kanë firmosur. Iniciativa kërkon që në atë seancë të konfirmohen dy vendimet e Presidentit për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.
