Kush u zgjodh MVP,dhe kush e theu dorën në ndeshjen në Vjenë

TË FUNDIT

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski rezulton të ketë qenë MVP i ndeshjes ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, që u zhvillua mbrëmë vonë në Vjenë.

Sipas raporteve nga kryeqendra austriake, ku po zhvillohet Samiti për Ballkanin Perëndimor, Gruevski ka shënuar dy gola dhe ka asistuar për dy të tjerët në përballjen që përfundoi me fitoren e reprezentacionit të vendeve që synojnë hyrjen në BE.

Tragjiku i ndeshjes ka qenë ministri serb i Minierave dhe Energjisë Aleksandar Antiq, i cili, si portier, gjatë ndeshjes ka thyer krahun.

Në repartin sulmues të ballkanasve është inkuadruar edhe zëvendëskryeministri dhe shef i diplomacisë kosovare Hashim Thaçi, loja e të cilit është vlerësuar si “e kënaqshme”, si dhe ajo e ministrit të Integrimeve Bekim Çollakut.

Mësohet se kryeministri Isa Mustafa gjithashtu është vlerësuar me notë të lartë për instruksionet që ua jepte nga banka anëtarëve të kabine tit të tij, por edhe ballkanasve të tjerë.

Në këtë ndeshje luajtën kryeministra dhe ministra të vendeve ballkanike kundër përfaqësuesve të BE-së, ndërsa gjyqtar ka qenë komisari evropian Johannes Hahn.

Brukseli zyrtar nuk ka reaguar pas humbjes, kështu që nuk dihet nëse rezultati i mbrëmshëm do të ndikojë negativisht në synimet e vendeve ballkanike për anëtarësim në Union.