Kush është më e korruptuar VMRO-DPMNE apo LSDM? Përplasen dy partitë më të mëdha maqedonase

TË FUNDIT

Në prag të zgjedhjeve lokale akuzat dhe kundër-akuzat mes VMRO-DPMNE dhe LSDM janë shpeshtuar. Korrupsioni dhe krimi janë akuzat që dy partitë ja adresojnë njëra tjetrës. Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së, thotë se sipas raportit prestigjioz amerikan “The Heritage Foundation” për vitin 2021, Maqedonia ka shënuar rënie sipas nivelit të të drejtave dhe lirive ekonomike.

“Për 4 vite pushtet të sistemit të paaftë dhe të korruptuar të Zaevit, Maqedonia bie 15 vende më poshtë në listën e Fondacionit Heritage për liri ekonomike dhe nga vendi i 31 -të në 2017, tani Maqedonia është në vendin e 46 -të. Pra, në vitin 2017 Maqedonia është në vendin e 31 -të, dhe në vitin 2021 në vendin e 46 -të. Ky është një dështim i vazhdueshëm katërvjeçar për shkak të qeverisë së korruptuar të Zoran Zaevit”, tha Aleksandar Nikollovski nga VMRO-DPMNE.

E nga LSDM thonë se Aleksandar Nikollovski është personi i fundit që mund të flasë për korrupsion. Shtojnë se  pikërisht VMRO-DPMNE është simboli i krimit dhe korrupsionit, duke i numëruar lëndët gjyqësore që zhvillohen për anëtarët e kësaj partie.

 “Vjedhjet historike në regjimin e Nikolla Gruevskit qytetarët i mbajnë mend shumë mirë, sepse u kanë kushtuar shtrenjtë. Kjo dëshmohet nga rastet e shumta gjyqësore që janë duke u zhvilluar kundër ish-zyrtarëve të lartë të regjimit të VMRO-DPMNE-së, por edhe për deputetët aktual nga kjo parti kriminale. Lënda e  Igor Janushevit për dëmin e shkaktuar në buxhet prej 5 milionë eurosh, lënda gjyqësore për Antonio Miloshoskin, apo lëndët  për kriminelin e dënuar Nikolla Gruevski, lëndët gjyqësore për Orce Kamçevin, Sasho Mijalkovin, Mile Janakievskin e Gordana Jankulovska”, thonë nga LSDM.

Raporti vjetor “The Heritage” për vitin 2021 e renditë Maqedoninë në vendin e 46 në botë, me 68,6 pikë, ndërsa vitin e kaluar ka qenë e renditur e 41-ta. Vendi nuk qëndron mirë as në efikasitetin në gjyqësor, sektorin publik dhe në institucione tjera shtetërore, me çka në  raporti theksohet se për përmirësimin e gjendjes janë të nevojshme reforma.