Kush do t’i paguajë grevistët e SAShK-ut? Më 15 maj duhet të marrin rrogë të plotë

TË FUNDIT

Para datës 1 çdo muaj përgatiten rrogat për të punësuarit në arsim, kurse duhet t’i marrin më 15 maj. Por, pyetja është – nga kush do t’i marrin? Ministrja Trençevska tashmë deklaroi se SAShK-u duhet ta paguajë neto rrogën, kurse Qeveria kontributet. Nga Sindikata, duke u thirrur në marrëveshjen kolektive për arsim fillor, thonë se në qoftë se sindikata ka organizuar grevë për shkak të shkeljes së të drejtave të të punësuarve që janë paraparë me ligj, punëdhënësi ka për obligim që t’i paguajë kompensimet e rrogës për të gjithë punëtorët që kanë dalë në grevë në lartësinë e pagës bazë të punëtorit.

Avokati Jovan Joanidis, shpjegon se marrëveshja kolektive po lidhet në bazë të ligjit, prandaj ligji i rregullon të gjitha çështjet.

“Në përputhje me ligjin, organizatori i grevës ka për detyrë t’i paguajë rrogat për mësimdhënësit dhe edukatorët gjatë grevës. Qeveria ka obligim si punëdhënës t’i paguajë kontributet që paguhen në Fondin për Sigurim Shëndetësor dhe Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor“, deklaroi Jovan Joanidis, avokat.

Por, avokatja, Mimoza Saltirova, nuk mendon ashtu. Ajo thotë se është plotësuar kushti që Qeveria t’i paguajë rrogat, sepse greva është organizuar për shkak të shkeljes së të drejtave të punëtorëve.

“Ligji saktësisht i rregullon të drejtat dhe obligimet e të gjithë qytetarëve në vendin tonë të cilët duhet ta respektojnë ligjin. Por, dallimi në marrëveshjen kolektive është ajo se me marrëveshjen kolektive
të punësuarve mund t’u jepen të drejta më të mëdha. Pikërisht i tillë është rasti me marrëveshjen kolektive të SAShK-ut për arsim, ku në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës për pagesën e rrogave është shkruar fjala MUND. Kur punëdhënësi mund t’i paguajë rrogat, atëherë kjo gjë është rregulluar me marrëveshjen kolektive“, pohoi Mimoza Saltirova, avokate.

Nga Qeveria përmes një kumtese me shkrim, edhe një herë përsëritën ofertën për rritjen e pagave prej 10%, duke shtuar se do të sigurojnë rritje të vazhdueshme me qëllim që të arrihet zgjidhje e përhershme për statusin social të të punësuarve në arsim.

“Njëkohësisht dhe me qëllimin më të mirë, informojmë se vendimi i SAShK-ut për organizim të një greve të përgjithshme para skadimit të afatit 6-mujor për harmonizim të pagës minimale, arsyeja e së cilës është avancim, e jo shkelje e të drejtave të punëtorëve, është manipulim i ashpër dhe shkakton konfuzion te grevistët”, thonë nga Qeveria E RMV-së.

Ndryshe, marrëveshja kolektive është nënshkruar nga përfaqësuesi i SAShK-ut dhe ministri përgjegjës. Kjo do të thotë se Qeveria ka pranuar ta nënshkruajë këtë Nen të Marrëveshjes Kolektive, prandaj, Saltirova nuk ka asnjë dyshim se Qeveria duhet t’i paguajë grevistët.