A do të ulen partitë shqiptare për të vendosur për një qëndrim të përbashkët për heqjen e termit “20%” për shqiptarët në Kushtetutë? Pas thirrjes së djeshme të Aleancës për Shqiptarët për unifikim në bllokun shqiptar, sot i pyetëm se a do të bëheshin ata nismëtarët e një takimi të tillë?
“Sa i përket qëndrimeve konkrete të Aleancës për Shqiptarët dhe iniciativave janë trupat dhe organet e partisë ata që sjellin vendim. Mund të ju informoj se sot kemi një takim Komisioni për organizimin e kongresit i cili ka kompetencat e një kryesie të partisë deri në kongres, përcjell këto vendime dhe me siguri aty do t’i konkretizojmë edhe këto hapa. Gjithsesi presim që edhe partitë tjera të reflektojnë kësaj radhe që bashkërisht të angazhohemi për ta heq këtë absurd nga Kushtetuta e vendit”, tha Syrija Rashidi, deputet i ASh-së.
Nga BDI nuk u përgjigjën drejtpërdrejt nëse do të inicionin një takim të tillë vetëm me partitë politike shqiptare. Përveç takimit me Thaçin që pati kreu i integristëve Ali Ahmeti, konsultimet mbi këtë çështje do të vazhdojnë me faktorë të tjerë në vend.
“Nuk është çështje ekskluzive etnike, por është çështje funksionale. Konsultimet do të vazhdojnë me gjithë faktorët relevant në vend. Sa për të kujtuar të gjitha të arriturat e deritanishme në vendin tonë, në të gjitha nivelet, në të gjitha aspektet, në të gjitha dimensionet janë si rezultat i partneritet të ngushtë të vendit tonë, institucioneve të vendit, partive politike të vendit me miqtë tanë ndërkombëtarë”, theksoi Arbër Ademi, deputet i BDI-së.
Tek Alternativa nuk është biseduar për ndonjë takim të tillë.
“Në të vërtetë, këtë temë nuk e kemi diskutuar ende brenda partnerëve qeveritarë dhe më pak e rëndësishme është se kush e fton takimin sesa përmbajtja e vetë takimit. Natyrisht, një takim i tillë do jetë i mirëseardhur edhe për ne, ngase aty do të kemi mundësi t’i shprehim qëndrimet jo vetëm për temën e apostrofuar nga ju, por edhe për çështje të tjera që e ndihmojnë avancimin e demokracisë dhe të kohezionit ndëretnik në RMV”, thonë nga Alternativa.
Ndërkaq nga Lëvizja Besa thonë se janë duke konkretizuar veprimet se si do arrihet deri te heqja e definicionit 20 %.
“Brenda javës Lëvizja Besa do ketë mbledhje të Kryesisë Qendrore nga ku do dilet me qëndrime konkrete për formën dhe modalitetin se si do arrijmë në realizimin e heqjes së termit 20% nga kushtetuta dhe zëvendësimin e të njëjtës me formulimin “gjuha shqipe”, thonë nga Lëvizja Besa.
Për këtë çështje foli edhe kreu i PDSH-së në emisionin ClickPlus të ditës së hënë.
“Në mënyrë shumë racionale vendosa që këtë kërkesë ta bashkëbisedoj me z.Ahmeti dhe ti ofroj mbështetjen time modeste nëse ai mund ta realizojë këtë, po pres! Mund të thuash, po partitë tjera? Detyra e atij është!”, pohoi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Nga VMRO-DPMNE-ja janë pro heqjes së 20% për shqiptarët, por me ketë të shfuqizohet edhe mekanizmi i badenterit dhe balancuesi. Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje tha se për ndryshimet kushtetuese është mirë që partitë të ulen në tavolinë me qëllim që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë partitë.
