Si kandidat i VLEN-it kaloi në balotazh të zgjedhjeve lokale për Bërvenicën.
Tani për rrethin e dytë ai i bashkoi edhe slloganet e dy koalicioneve të VLEN dhe AKI-së. Megjithatë, bëri thirrje që asnjëri nga përfaqësuesit politik të mos jenë prezent në tubimin përmbyllës që do e mbaj të premten.
Haqim Ramadani, sqaron se kauza e tij do të dal mbi partitë politike dhe se zotohet që do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të kësaj komune.
“Unë nuk kam gabuar asgjë ndaj as zotëri Kasami e as zotëri kryeministrit, unë falje kërkoj vetëm ndaj qytetarëve, të cilët më njohin dhe më dinë, ndërsa mendoj që fushata ime në aspekt të dy liderëve politik nuk kam gabuar aspak për arsye se unë nuk bëj politikë të madhe. Unë sot përfaqësoj vetëm banorët e Komunës së Bërvenicës dhe shfrytëzoj rastin që të thirri të gjithë liderëve të partive politike shqiptare e maqedonase që mos të keqpërdorin Komunën e Bërvenicës për kalkulime për komunat urbane sepse për ne Bërvenica është shumë më e rëndësishme se të gjitha të tjerat”, tha Ramadani.
Ramadani thotë se gjatë vizitave në diasporë ka marr premtimin se mërgimtarët do të vijnë të dielën për shfrytëzuar të drejtën e tyre qytetare në vendlindje, aty ku sipas tij, investojnë kursimet si remitanca.
“Të nderuar vëllezër tanë që jetoni dhe veproni në diasporë, ju gjithë kapitalin tuaj e investoni këtu dhe ju bëjë kërkesë që përmes votës së lirë të investoni dhe të votoni për arsye se është për keqardhje nga 11 mijë banorë të komunitetit shqiptarë, 7 mijë qytetarë i kemi jashtë, të cilët arkën e Bërvenicës e mbushin dhe ata njerëz duhet të edhe përmes votës së lirë të zgjedhin, jo vetëm t’ua marrin paratë dhe vota e tyre të mos ketë peshë. Të gjithë banorët e Bërvenicës pa dallime të bindjeve politike, kombëtare apo fetare, të gjithë për një të vijnë të organizohen dhe përmes votës të zgjedhin kryetarin për të cilin mendojnë se në 4 vitet e ardhshme do të udhëheqë më mirë për Bërvenicën”, tha më tej Ramadani.
Nga ana tjetër kandidati i VMRO-DPMNE-së, Jovica Ilievski, ditë më parë tha se komuna është dëshmuar për bashkëjetesë të shkëlqyer, ndërsa shtoi se pret edhe vota nga bashkëqyetarët shqiptarë.
“Thirrjet për ndasi askujt nuk i sjellin të mira. Popullata e dëshmoi edhe në rrethin e parë, edhe atëherë kishim vota shqiptare, të cilat i pres edhe tani, është e dëshmuar për bashkëjetesë. Edhe një herë thirrje për të gjithë – nuk jemi për urrejtje, as për ndasi. U bëj thirrje të gjithëve të dëshmojmë se Bërvenica është mjedis multietnik dhe ashtu do të mbetet”, tha Jovica Ilievski, kandidat i VMRO-DPMNE-së për Bërvenicën.
Haqim Ramadani në rrethin e parë fitoi 2021 vota, ndërsa Jovica Ilievski 3388.
Kush do të del fitues, do të mësohet të dielën në mbrëmje.
