Kush do të bëhet Avokat i Popullit? Jadrovski: Ka përpjekje që në këtë pozitë të emërohet person partiak

TË FUNDIT

E gjithë procedura për zgjedhje të Avokatit të popullit nuk është transparente dhe udhëhiqet në mënyrë të dyshimtë, reagojnë nga Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi. Igor Jadrovski nga Komiteti i Helsinkit i cili është pjesë e atij rrjeti, thotë se prapa kësaj fshihet përpjekje që në këtë pozitë të emërohet person partiak.

“Keqdashja shkon deri atje që edhe Kuvendi nuk e publikoi këtë shpallje në pjesën e shpalljeve që i publikon por i vetmi informacion që mund ta gjeni në këtë shpallje është në pjesën e seancave plenare, në rendin e ditës së seancës ku është votuar vendimi. E gjithë kjo na i konfirmon dyshimet se zgjedhja e Avokatit të popullit pas 30 vjetëve që nga ekzistimi i këtij institucioni, do të shndërrohet në treg ndërpartiak”, deklaroi Igor Jadrovski nga Komiteti i Helsinkit.

Procedurën e zgjedhjes së Avokatit të popullit e bën Komisioni për zgjedhje dhe emërime. Kryetari i këtij komisioni Kostadin Kostadinov tha se procedura është kah fundi dhe së shpejti do të zgjidhet njeriu i parë i këtij institucioni. 

“Shpallja u publikua në mënyrë transparente, shpallja tashmë përfundoi, kaluan edhe dy ditët që i lëmë ne si Kuvend, në rast dikush të ketë dorëzuar materiale përmes postës, të arrijnë në Kuvend. Do të bëhet vlerësim i biografive që janë dorëzuar me kandidatët e paraqitur dhe patjetër në koordinim me të gjitha grupet politike në Kuvend”, tha Kostadin Kostadinov, Kryetar i Komisionit për zgjedhje dhe emërime.

Nga Komiteti i Helsinkit kërkojnë që kryetari i Kuvendit ta ndërpresë procedurën dhe ta anulojë shpalljen, ndërsa pas kësaj përsëri të shpallet në mënyrë transparente që të kemi konkurrencë për zgjedhjen e avokatit të popullit. Kostadinov u përgjigj se reagimi i këtillë është e drejta e tyre.

“Opinioni më i gjerë publik, sidomos ai profesional të informohet, zgjedhja të bëhet në mënyrë transparente dhe publike që të mundësohet konkurrencë, respektivisht gjatë zgjedhjes së Avokatit të ri të Popullit të respektohen Parimet e Parisit dhe Venecias. Më me siguri në periudhën që vijon do të përgatisim edhe një strategji lidhur me atë nëse do të takohemi me ndonjë deputet ose me kryetarin e Parlamentit”, deklaroi Igor Jadrovski nga Komiteti i Helsinkit.

“Jemi shoqëri demokratike. Secili mund të japë vërejtje dhe kuptohet se nuk është e kontestueshme nëse zbatohet ndonjë vërejtje. Por, kur bëhet fjalë për shpalljen për Avokatin e Popullit, me përgjegjësi të plotë pohoj… pjesa e publikimit të shpalljes kuptohet se është obligim i kryetarit të Parlamentit, por pohoj se shpallja në fjalë ishte publikuar në mënyrë transparente dhe në pajtueshmëri me të gjitha normat ligjore dhe aktet e Kuvendit. Në këtë shpallje ishin paraqitur më shumë kandidatë”, Kostadin Kostadinov, kryetar i Komisionit për zgjedhje dhe emërime.

Nga Aleanca për shqiptarët deh Alternativa më herët kanë deklaruar se këtë funksion duhet ta marrë opozita. Deri më tani këtë funksion e ushtronte Ixhet Memeti, të cilit pas 16 vjetëve i skadoi mandati i dytë. Memeti tani është anëtar i Këshillit i Prokurorëve Publik.