Padia penale ndaj Kryetarit të Kumanovës Maksdim Dimitroevskit ka ardhur si pasojë e presioneve politike nga ana e Drejtorisë për Siguri Publike në MPB pohon Ministri teknik për Punë të Brendshme Naqe Çulev.
“Presione politike nga ana e strukturave udhëheqëse të larta në Drejtorinë Për Siguri Publike,” tha Naqe Çulev, ministër teknik për Punë të Brendshme.
Nga ajo që pohon Çulev,të gjitha materialet nga Inspektorati Shëndetësor dhe Sanitar nuk i janë dorëzuar atij, por Drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Sasho Tasevskit.
Ministri teknik thotë se nga SPB Kumanovë e kanë informuar se përmes një urdhri me gojë janë caktuar dy inspektorë nga Shkupi që kanë shkuar në SPB Kumanovë, ku bashkë me inspektorët e këtij qyteti kanë shkuar në Prokurorinë Themelore të Kumanovës ku kanë bërë presion që të ngritet padi ndaj Dimitrievskit, edhe pse kanë munguar elementët për ta bërë këtë.
“Atje nga prokurori kompetent u është sugjeruar se në bazë të dokumenteve të dorëzuar nuk ka elementë të mjaftueshëm për ngritjen e padisë penale megjithatë edhe përskaj sugjerimit të Prokurorit, është insistuar, ka pasur presione të mëdha mbi Inspektorët që me çdo çmim ta ngrenë padinë penale,” tha Naqe Çulev, ministër teknik për Punë të Brendshme.
Ivolvimet politike në këtë rast, sipas Çulevit, i dëshmon edhe hedhja poshtë e padisë në mënyrë ekspres nga Prokuroria.
Televizioni 21, përmes shërbimit për marrëdhënie me publikun në MPB, kërkoi përgjigje nga Drejtori i Byrosë për Siguri Publike për pohimet e Çulevit, por përgjigje nuk morëm.
Kreu i Kumanovës Maksim Dimitrievski ka pohuar për TV21 se dyshon tek udhëheqës në MPB që përmes padisë kanë dashur ta njollosin duke i montuar padi penale, megjithatë pa përmendur konkretisht se për kë e ka fjalën.
“Persona që punojnë në MPB, në procedurë të brendshme. Pas dorëzimit të kallëzimit tim në kontroll të brendshëm në MPB. Hetimi do të dëshmojë se kush dhe pse, dhe me urdhër të kujt ka bërë padi penale e cila nuk ka bazë,” tha Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës.
Dimitrievski kërkon që të bëhet kontroll i brendshëm në MPB për t’i konfirmuar parregullsitë në të cilat ai dyshon, e hapi i ardhshëm është edhe hedhja në gjyq e fajtorëve. Ministri teknik Çulev përmes TV21 e inkurajon Dimitrievskin se nëse mendon se zyrtarët policorë kanë tejkaluar kompetencat kur kanë vepruar për rastin në fjalë, të dorëzojë parashtresë deri tek sektori për kontroll të brendshëm në MPB ku do të veprohet për vërtetim të përgjegjësisë. Padia ndaj Dimitrievskit ishte ngritur mbi veprën penale – Mosrespektimi i rregullave shëndetësore.
