Kurti thotë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje: Është e domosdoshme të merremi vesh për presidentin!

TË FUNDIT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar mundësinë e shkuarjes vazhdimisht në zgjedhje të reja parlamentare, në rast të pamundësisë për të zgjedhur presidentin e ri të Kosovës, përcjell TV21. Sipas tij, zgjedhjet e reja në këtë situatë nuk do të sillnin zgjidhje afatgjatë, por do të krijonin një cikël të përsëritur krizash politike. Kurti gjithashtu ka paralajmëruar për pasojat financiare që mund të sjellin zgjedhjet e reja.

“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja, ato kushtojnë së paku 10 milionë euro për organizim nga KQZ-ja. Nëse shkojmë në zgjedhje të reja, për shkak se nuk do të funksionojë Kuvendi i Republikës, si shtet do të humbim dhjetëra miliona euro. Dhe nëse shkojmë në zgjedhje të reja, nuk do të kemi zgjidhje. Me qenë se sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, me qenë se unë nuk e di si mund t’i kemi 80 deputetë, prandaj është e domosdoshme që të merremi vesh. Unë kam qenë shumë bujar me partitë opozitare”, tha Kurti.