Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në pritjen e organizuar me rastin e 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka folur për rrugëtimin e Kosovës drejt Pavarësisë dhe pas saj.
Kurti përmendi me radhë secilin nga kontributdhënësit për Pavarësinë e Kosovës.
Edhe pse në videon e publikuar nga Qeveria e Kosovës në prag të përvjetorit të 16-të të pavarësisë nuk ishte përfshirë fare momenti historik i shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga atë botë kryeministri Hashim Thaçi, Kurti e përmendi në fjalimin e tij Thaçin dhe të gjithë deputetët që e nënshkruan deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
“Me votat dhe nënshkrimet e 109 vetave, që nënshkruan deklaratën e pavarësisë, dokumentit themeltar të shtetit tonë. Atë ditë mbi pergamenën e kuruar ku ishte shkruar deklarata e pavarësisë, krahas 109 deputetëve u nënshkruan edhe tre krerët e shtetit të sapo shpallur të pavarur, presidenti Fatmir Sejdiu, kryekuvendari Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi që e lexoi atë në Kuvend”, ka thënë Kurti.
Ai tha se Kosova është vendi më i ri i kontinentit më të vjetër, por sipas Kurtit me demokracinë më të shëndoshë.
Ai falënderoi aleatët deri sa tha që rrugëtimin do ta vazhdojmë bashkë.
“Bashkë kemi ardhur deri këtu dhe bashkë do të vazhdojmë duke përparuar për atje ku jemi nisur, në Bashkimin Evropian dhe Aleancën Veri Atlantike-NATO”, ka thënë Kurti.
Ai e përmbylli fjalimin me moton e këtij përvjetori të Pavarësisë, “Kosovë ne të dalim Zot”.
