Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se incidenti me presidenten Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit është përvojë shumë e keqe posaçërisht pasi që, siç tha ajo ka qenë së bashku me dy vajzat e saja. Ai tha se pret që së shpejti të marrë raportin nga institucionet e Maqedonisë, ndërsa për këtë ngjarje institucionet e Maqedonisë kanë shprehur keqardhje.
“Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, krerët shtetërorë këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë një raport zyrtar qe do të zbardhë këtë çështje në tërësi dhe në hollësi edhe që të kuptojmë që çka saktësisht ka ndodhur por edhe që mos të na përsëriten kurrë më situatat e tilla”, tha Albin Kurti.
Kryeministri Hristijan Mickoski, theksoi se ky rast nuk mund të ndikojë që të keqësohen raportet mes dy vendeve, ndërsa që të mos përsëritet, ai u ofrua që në vizitën e ardhshme të Osmanit në vend, ai personalisht ta shoqërojë në aeroport.
“Kjo për ne paraqet një ndjenjë për të cilën na vjen keq dhe nuk duam që të përsëritet. Unë presonalisht theksova se presidentja e Kosovës është e mirëseardhur si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës dhe personalisht, herën tjetër nëse në kohë informohem do të jetë kënaqësi që ta pres si nikoqir në aeroport dhe së bashku me mua nëse nuk udhëton nga Shkupi ta shoqërojë në kohën që ajo do ta kalojë në aeroportin e Shkupit”, tha Hristijan Mickoski.
Për qëndrimin që Presidenca e Kosovës ka shprehur përmes një komunikate se incidentin në aeroport me presidentin Osmani e shohin si provokim të drejtpërdrejtë, Kurti tha se Kosova nuk ka pasur një qëndrim të tillë.
I pyetur nëse do të kërkohet përgjegjësi për dërgimin e personave të sigurimit të kryeparlamentarit të Kuvendit, Afrim Gashi, kryeministri Mickoski tha se institucionet kompetente punojnë për zbardhjen e rastit dhe nëse janë shkelur kompetencat, atëherë do të ngrihet procedurë kundër tij.
