Pas takimit me homologun e tij nga Shqipëria, Edi Ramën, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se në fokus ishin marrëveshjet bilaterale që janë e që mund të shtohen, si dhe për mundësitë e reja dhe sfidat e përbashkëta, shkruan TV21. Kurti tha se përmes bashkëpunimit ndërqeveritar, synohet shërbimi ndaj qytetarëve dhe republikave të të dyja vendeve.
“Mirëprita Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për marrëveshjet bilaterale që kemi dhe fushat se ku mund t’i shtojmë ato, për mundësitë e reja dhe si t’i shfrytëzojmë sa më mirë, si dhe për sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato sa më lehtë.
Me mandatet tona të ripërtërira, përmes bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërshtetëror, le t’u shërbejmë edhe më tej e më shumë qytetarëve në të dy republikat dhe kombit tonë mbarë”, tha Kurti.
