Kurti: Nuk i kemi borxh askujt, na kanë borxh shumëçka

TË FUNDIT

Në raportimin e tij para deputetëve të Kosovës, kryeministri Albin Kurti pati shumë kritika për marrëveshjet e arritura gjatë procesit të dialogut me Serbinë.

Kurti tha se gjatë dy fazave të dialogut janë nënshkruar një sërë dokumentesh që jo-domosdoshmërisht burojnë nga rëndësia e dokumentit apo fushës që rregullon.

Sipas tij, pala serbe në vazhdimësi ka minuar përpjekjet e përbashkëta për sukses, shkruan rtv21.tv

“Fushata kundër FSK-së, vrasja e Oliver Ivanoviqit, arrestimi mbase i orkestruar i Marko Gjurqit, e që u lirua pa asnjë gjobë. Me të gjitha këto është synuar që të krijohet përshtypja që normalizimi mund të arrihet vetëm përmes ndarjes, e cila pastaj popullatës iu paketua si shkëmbim territoresh”, tha Kurti.

Mungesa e afateve kohore, sipas kryeministrit, e ka dëmtuar procesin e dialogut.

Kurti kritikoi edhe Bashkimin Evropian, duke thënë se presioni duhet të jetë mbi Serbinë.

Kryeministri ritheksoi qasjen e Qeverisë që udhëheq ai, ndaj dialogut.

“Unë kam ftuar krerët e opozitës për të diskutuar për dialogun, qasjen tonë e dini, unë po flas se cilat duhet të jenë parimet, Serbia duhet t’i pranojë fajësinë për krimet e kryera, pranimi i realitetit për Kosovë të pavarur, barazia e përfaqësuesve, dhe qytetari si fitues në fund”, theksoi Kurti.

Kryeministri i Kosovës kërkoi nga deputetët të veprojnë si deputetë, duke nuk i kemi borxh askujt, por na kanë borxh shumëçka./21Media

TË NGJAJSHME