Kurti: Masat e BE-së të padrejta, Kuvendi t’i kalojë kreditë dhe grantet e ngujuara

TË FUNDIT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përsëriti se masat ndëshkuese të BE-së janë të padrejta. Por sipas tij, aktualisht Kosova i ka të ngujuara miliona kredi dhe grante, që duhet të kalojnë nëpërmjet Kuvendit.

Ai deklaroi të hënën se rreth 149 milionë euro janë të bllokuara.

“Është e vërtetë që janë paralajmëruar masa të cilat edhe janë zbatuar disa prej tyre, ju e dini që ushtrimi i madh ‘Defender Europe’, sidomos në Gjakovë ku e kishim të planifikuar u pat anuluar, bëhet fjalë edhe për vizita e masa të përkohshme, të cilat për bindjen time janë të padrejta. Ajo që ne duhet të bëjmë është që në Kuvend, me 2/3 e deputetëve t’i kalojmë ato kredi dhe grante që kanë ngelur të ngujuara dhe s’po mund t’i gëzojë ekonomia e Kosova, rreth 149 milionë euro. Kredi dhe grante që pa 2/3 nuk po kalojnë. Teksa mërzitemi për masat e ardhshme të përkohshme, ne kemi një ngujim aktual të cilin do të mund ta largojmë bashkërisht në Kuvendin e Kosovës”, tha Kurti.