Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas deklaratës së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, i cili në seancën e së martës tha se ish-presidenti Hashim Thaçi “e pret i njëjti fat si Naim Murseli”, i dënuar me burgim të përjetshëm. Kurti u shpreh se qëndrimi i Vetëvendosjes për Gjykatën Speciale është i njohur.
“Ju e dini qëndrimin tonë sa i përket Gjykatës Speciale, e cila është një gjykatë jonormale dhe jotransparente. Ne jemi të bindur për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, bartëse e së cilës ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si dhe për pafajësinë e katër krerëve të saj, të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë. Në anën tjetër, ju ishit dëshmitarë se kryetarja e Kuvendit ia tërhoqi vërejtjen dhe ia ndërpreu fjalën deputetit edhe për shkak të komentit që bëri”, deklaroi Kurti.
Deklarata e deputetit Fatos Geci shkaktoi reagime të forta në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, pasi ai bëri një krahasim mes ish-presidentit Hashim Thaçi dhe Naim Murselit.
Gjatë fjalës së tij, Geci tha se përshëndet vendimin e gjykatës ndaj Murselit dhe shtoi se ata që shpresojnë në lirimin e “liderit suprem” do të përballen me të njëjtin fat.
“Dua të përshëndes vendimin e gjykatës për dënimin e Naim Murselit dhe ju që shpresoni që lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat”, tha Geci.
Pas kësaj deklarate, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu i tërhoqi vërejtje deputetit Geci.
