Qendra e Regjistrimit në Zubin Potok është djegur.
Ky zjarr erdhi në ditën e gjashtë të protestave nga serbët kundër reciprocitetit ndaj targave që ka vendosur Qeveria e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili sot ishte në Shkup, personat që shkaktojnë trazira në Veri i ka quajtur grupe kriminele, ndërsa zjarrvëniet në Zubin Potok dhe Zveçan, të qëllimshme. Kryeministri i Kosovës vlerëson se të njëjtat janë të nxitura dhe mbështetura nga regjimi serb. Duke komentuar sulmet Kurti ka lavdëruar Policinë e Kosovës dhe komunitetet pa dallim etnie për durimin e treguar karshi provokimeve të vazhdueshme.
“Zjarrvëniet e qëllimshme që kanë ndodhur pak pas mesnate janë dëshmi se çka do t’iu ndodhte pikave kufitare 1 dhe 31 nëse aty nuk do të ishin pjesëtarët e Njësisë Speciale të forcave tona. Bllokimi i rrugëve nuk po ndodh nga policia jonë, as qarkullimi i lirë i lëvizjes nuk pengohet nga policia jonë”, tha Kurti.
Me këtë rast Kurti kërkoi reagimin e bashkësisë ndërkombëtare.
“Bashkësia Ndërkombëtare, faktorët ndërkombëtarë do të duhet që të mos i mbyllin sytë para nxitjes që bën regjimi autokrat në Serbi ndaj qytetarëve të caktuar të Kosovës që ta kundërshtojnë e ta luftojnë shtetin tonë”, tha më tej ai.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Serbisë Dragana Rakiq vlerëson se Vuçiq ia ka prishur Serbisë marrëdhëniet me të gjithë fqinjët.
“Zgjidhje ka gjithnjë, por ne na duhen politikanë të zgjuar që do të sjellin vendime në interes të qytetarëve të tyre”, tha Rakiq.
Nga Aleksandar Vuçiq nuk mund të prisni ndonjë zgjidhje paqësore me fqinjët. Unë vlerësoj se Serbia asnjëherë nuk ka qenë në situatë më të keqe, ne jemi shumë keq në marrëdhëniet me fqinjët, në raporte jo të mira që është e pamundur edhe me Malin e Zi edhe me Kroacinë.
Tash e gjashtë ditë serbët janë duke protestuar në pikat kufitare me Serbinë në Jarinjë e Bërnjak pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat nga Qeveria e Kosovës.
