Kurti: Grenell sillet si një kauboj, marrëveshja e mundshme në Uashington është plotësisht e pavlefshme

TË FUNDIT

Lideri i partisë Lëvizja Vetëvendose (VV) dhe ish-kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk pret ndonjë rezultat nga takimi në Uashington midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë, i cili do të mbahet më 2 shtator, me ftesë nga i dërguari special amerikan për negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Riçard Grenell.

Në një publikim në faqen e tij në Fejsbuk, Kurti tha se nisma e Grenellit është vetëm për ta forcuar pozicionin e tij dhe atë të shefit të tij, Presidentit amerikan Donald Tramp, në prag të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në atë vend.

Grenell, thotë Kurti, po sillet “si një kauboj financiar dhe mediatik, për të cilin historia e shqiptarëve dhe vuajtja dhe humbja e Kosovës nuk do të thotë asgjë.”

“Rreth 80 ditë kanë ngelur deri në zgjedhjet e reja në SHBA ku Presidenti Donald Tramp përballet me kandidatin demokrat Xho Bajden. Në këtë kontekst duhet të shihet edhe 2 shtatori si datë e paralajmëruar e negociatave ndërmjet Kosovës e Serbisë në Uashington. Ish-ambasadori amerikan në Berlin dhe ish u.d. i Drejtorit të Inteligjencës Nacionale, Riçard Grenell, e do një sukses të orëve të fundit në politikën e jashtme”, ka shkruar Kurti.Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, “ata që nga Kosova duan të shkojnë në ato bisedime të planifikuara për 2 shtator nuk kanë asnjë legjitimitet, besueshmëri, autoritet apo kompetencë”.

“Rrjedhimisht, marrëveshjet e tyre janë të pazbatueshme, dhe nuk vlejnë as sa çmimi i letrës ku shkruhen”, porositi Kurti.

I dërguari i presidentit amerikan Tramp për dialogun Prishtinë-Beograd, Ambasadori Grenell, sot në mëngjes e publikoi lajmin për takimin Kosovë-Serbi në Uashington. Më parë u planifikua një takim i liderëve të dy vendeve në Shtëpinë e Bardhë për më 27 qershor, por ai u shty pasi disa ditë më parë u publikua se kundër Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi është ngritur para Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë.

Përfaqësuesja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Grejson Vinsent, konfirmoi për portalin e Prishtinës “Koha.net” se delegacionet e të dy vendeve në takimin në Uashington pritet të udhëhiqen nga Kryeministri i Kosovës Abdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.Vincent, si edhe më parë Hoti, deklaroi se pret arritje të një “përparimi të rëndësishëm në marrëdhëniet ekonomike” midis dy vendeve, që do të ishte “çelësi i procesit të paqes” në rajon.