Kurti: Gjenocidi i Srebrenicës mohohet paturpshëm nga Serbia

TË FUNDIT

 Kryeministri i Kosovës Albin Kurti thote se ajo çka ka ndodhur në Srebrenicë para 27 viteve nuk është asgjë më pak se gjenocid, i cili “mohohet paturpshëm nga Serbia”, njofton korrespodenti i MIA-s nga Prsihtina.

Me rastin e 27 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, Kurti në faqen e tij të Fejsbukut shkroi se dëmi i shkaktuar atëherë është i pariparueshëm.

“Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi i Srebrenicës është i shumëfishtë. Ai shkon përtej 8.273 burrave dhe djemve të vrarë. Përtej 30 mijë fëmijëve e pleqve të abuzuar e të shpërngulur me dhunë. Dëmi i shkaktuar transferohet secilin vit te dhimbja e nënave. Lotët e motrave. Traumat e përjetuara. Vuajtjet e pakontrolluara. Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por ai mund të njihet duke u pranuar. E në kohën kur jetojmë ne, viktimave u vendoset kripë në plagë secilën ditë kur gjenocidi i Srebrenicës mohohet paturpshëm nga Serbia”, shkroi Kurti.

Sipas kryeministrit të Kosovës, “në kohëra si këto, duhet të kujtojmë që hapi i parë i përsëritjes së gjenocidit është mohimi”.

“Andaj duhet të jemi të vëmendshëm e të zëshëm në përkujtimin tonë dhe kërkesat tona për njohje dhe përulësi ndaj një prej gjenocideve më makabre të ndodhur në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore”, shkroi Kurti.