Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se e kupton frustrimin e secilit qytetarë për mungesën e energjisë elektrike, pasi edhe vet është i frustruar por ka shtuar se le të jetë ky një kujtim për gjendjen në të cilën e lanë shtetin njerëzit e territ që qeverisën për dy dekada.
Kurti në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të VV-së, ka thënë se ata që qeverisën nuk kishin si ta lenin Kosovën ndryshe pos në terr e skëterr. Megjithatë shtoi se ajo epokë ka përfunduar.
Sipas tij, fitorja e VV-së ishte e domosdoshme për ta shpëtuar vendin, por shtoi se gjetën një shtet përtokë, që gjakonte në të gjitha anët e tërësisht i papërgatitur për sfidat e shekullit 21.
Ai tha se përveç përballjes me pandeminë për të cilën tha se e kanë menaxhuar me sukses, tash, qeveria aktuale po përballet edhe me krizën energjetike.
“Derisa kërkesa për energjinë nga qytetarët dhe ekonomia jonë është rritur çdo vit, prodhimi nga KEK-u ka mbetur i njëjtë e ndërkohë ka pasur edhe vjedhje edhe vendime të gabuara që e kanë sjellë sektorin energjetik buzë kolapsit. Unë e kuptoj sot frustrimin e secilit qytetarë me mungesë të energjisë elektrike, besoni që edhe unë jam i frustruar por le të jetë ky një kujtim për gjendjen në të cilën, ata që qeverisën për dy dekada na e lanë shtetin, sepse si njerëz të territ që ishin, që punën i bënin natën e larg syrit të qytetarëve, ata nuk kishin si ta lenin Kosovën ndryshe pos në terr e skëterr por ajo epokë ka përfunduar, rrugëtimi që kemi filluar së bashku është me plot sfida por do të na dërgoj në ditë më të mira. Gjatë vitit që vjen do të dalim me propozime konkrete për zgjidhjen afatgjate e cila do të merr parasysh kërkesën tonë rritje për energji në 40 vitet e ardhshme dhe burimet tona energjetike për të plotësuar këtë kërkesë “, tha Kurti.
Kurti theksoi se strategjia duhet të jetë që vit pas viti të investohet në energji të ripërtritshme.
Sipas tij, qeveria ka punuar për përmbushjen e premtimeve vitin po e përmbyllin me një ngritje ekonomike prej 9.9 përqind të brutoproduktit vendor, sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore të Kosovës.
