Tetë shtete anëtare të Bashkimit Evropian – Austria, Italia, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia dhe Greqia – kanë dalë me një dokument të përbashkët ku kërkojnë që procesi i zgjerimit të BE-së të mos ngarkohet me kushte të reja për vendet kandidate. Ato vlerësojnë se rregullat e pranimit dhe mekanizmat e monitorimit duhet të jenë të drejta, të kufizuara në kohë dhe të bazohen në kritere objektive. Sipas tyre, vendosja e pengesave të reja politike ose institucionale rrezikon të zbehë besimin e vendeve kandidate në procesin e integrimit dhe të dobësojë ndikimin e Bashkimit Evropian në rajon.
PJESË NGA NON-PEJPËRI :
“Shtimi i vazhdueshëm i kërkesave të reja, parakushteve politike ose pengesave institucionale gjatë garës do t’i demotivonte kandidatët, do ta minonte kredibilitetin e perspektivës evropiane dhe do ta dobësonte ndikimin e vetë Unionit në fqinjësinë e tij”.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova thotë se Bashkimi Evropian ka mekanizma për të parandaluar bllokimin e procesit të integrimit për shkak të çështjeve identitare. Sipas saj, Maqedonia mbështet një proces anëtarësimi të bazuar në kriteret e BE-së dhe jo në mosmarrëveshje dypalëshe
“Nga ajo që kemi dëgjuar në Parlamentin Evropian, përmes formës së amendamenteve, përmes fjalimeve dhe asaj që më pas dëgjova nga disa politikanë, madje edhe brenda vetë Parlamentit Evropian, përfundimi është se nevojitet shumë përpjekje dhe shumë vullnet i mirë që disi t’i kapërcejmë këto dallime”, theksoi Gordana Siljanovska-Davkova – presidente e RMV-së.
Shtetet që nënshkruan non-paper-in kërkojnë që metodologjia e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të jetë e njëjtë për të gjitha vendet kandidate, pa rregulla të veçanta për secilin shtet. Sipas tyre, masat mbrojtëse dhe periudhat kalimtare duhet të jenë të kufizuara në kohë, të bazuara në kritere të qarta dhe të mos krijojnë detyrime të reja, por vetëm të forcojnë zbatimin e kushteve ekzistuese, përfshirë respektimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë edhe pas anëtarësimit. Nënshkrueset e non-paper-it, në mesin e të cilave është edhe Greqia, thonë se kjo nuk do të krijojë detyrime të reja, por do t’i përforcojë detyrimet që janë pjesë integrale e kushteve mbi të cilat bazohet anëtarësimi.
