Gjenocidi në Srebrenicë paraqet një nga dështimet më të mëdha që ka lënë një gjurmë të përhershme dhe të errët mbi njerëzimin, u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në fjalimin e tij. Ai theksoi se gjenocidi nuk fillon me zhurmën e armëve, por me indiferencën ndaj dhunës, duke shtuar se pikërisht për këtë arsye roli i institucioneve është i një rëndësie thelbësore.
“Jemi këtu sepse gjenocidi nuk fillon me zhurmën e armëve. Ai fillon shumë më herët, me indiferencën e njerëzve ndaj dhunës. Fillon me fjalën që nxit urrejtje, me mohimin e dinjitetit të tjetrit, me heshtjen përballë padrejtësisë dhe me indiferencën e atyre që mendojnë se e keqja është larg tyre”, u shpreh Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Gjenocidi nuk është një fatkeqësi natyrore që të themi se ndodhi, por ai është planifikuar dhe kryer kundër një populli, në këtë rast kundër boshnjakëve, tha akademiku Ferid Muhiq.
“Pra, në asnjë mënyrë të mos thuhet ndodhi, nuk ndodhi, por është kryer gjenocid. Atëherë kemi të bëjmë me diçka, sepse ai është organizuar, siç thashë, është kryer në Shtabin e Përgjithshëm, është mbështetur, është planifikuar, është një projekt. I gjithë projekti është gjenocidal, megjithatë çdo vrasje masive nuk mund të ndodhë në një moment zemërimi. Nuk mund të vriten tetë mijë, nëntë mijë apo dhjetë mijë njerëz pa një organizim të madh”, tha Ferid Muhiq, akademik.
Sa u përket thirrjeve për falje, Muhiq shton se askush deri më tani nuk e ka kërkuar këtë, por përkundrazi, ata që e kanë kryer gjenocidin edhe 31 vjet më vonë e mohojnë atë. Ai shton se askush nuk mund të falë në emër të atyre që kanë vuajtur dhe janë vrarë.
Sipas Xhevad Hotit, Srebrenica nuk duhet të përmendet vetëm një ditë në vit. Ajo duhet të jetë e gdhendur në kujtesën kolektive dhe në programet arsimore, sepse vetëm përmes së vërtetës do të parandalohet që urrejtja të mbizotërojë.
“Srebrenica nuk është vetëm një vend gjeografik, ajo është simboli i vuajtjes më të madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo na kujton se deri ku mund të shkojë urrejtja kur shndërrohet në politikë shtetërore, kur propaganda e zëvendëson të vërtetën, ndërsa heshtja e bashkësisë ndërkombëtare bëhet hapësirë në të cilën krimi fiton mundësinë të realizohet”. theksoi Xhevad Hot – Bashkimi Kombëtar Boshnjak.
Adnan Azizi, kryetar i Komitetit për Marrëdhënie ndërmjet Komuniteteve, theksoi se Srebrenica paraqet një plagë që nuk shërohet dhe rikujtoi se pas numrave qëndrojnë jetë njerëzish. “Në Srebrenicë nuk ishte sulmuar vetëm një popullatë, por vetë njerëzimi”, tha ai. Duke iu referuar karakterit multietnik të shtetit tonë, Azizi theksoi se bashkëjetesa dhe respekti i ndërsjellë ruhen përmes institucioneve të fuqishme dhe të përgjegjshme, duke përcjellë mesazhin se kujtimi i viktimave nuk do të harrohet kurrë.
