Zëvendës ndihmës sekretari amerikan, Gabriel Eskobar, thotë se Maqedonia dhe Shqipëria si pako meritojnë t’i nisin negociatat me Bashkimin Evropian.
“SHBA-të janë të bindura se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut bënë reforma të rëndësishme. Ata kanë lëvizur përpara ndjeshëm kandidaturën e tyre. Ndërmorën hapa të mëdhenj politik, disa prej tyre ishin të dhimbshëm, por meritojnë ta fillojnë Konferencën Ndërqeveritare sa më shpejt që është e mundur, shpresoj këtë vit. Shpresoj se të gjitha vendet-anëtare evropiane e kuptojnë domethënien strategjike për të lejuar që ky proces të nisë. Shpresoj se BE-ja, si vende-anëtare individuale, por edhe si organizatë e kuptojnë vlerën strategjike të Ballkanit dhe integrimit të tij në Evropë”, tha Gabriel Eskobar – zëvendës-sekretar i SHBA-ve.
Edhe raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Ilhan Quçuk ndaj zgjerimit të BE-së sheh me optimizëm. Ai në emisionin “10 Minuta” të TV21 tha se duhet të nisë dialogu mes të dyja vendeve.
“Unë mendoj se ka mundësi të fillojë dialogu i cili do të jetë në një nivel të ri. Për muaj të tërë ishim në një pikë të ulët sa u takon marrëdhënieve dhe për këtë ka fajtorë nga të dyja anët. Mendoj se ka shans. Në politikë asnjëherë nuk duhet të vihet pikë, por gjithmonë duhet të vihet presje, sidomos në diplomaci. Të kërkohet çdo mundësi deri në fund të vitit, që të ketë zgjidhje për të dyja vendet”, u shpreh Ilhan Quçuk – raportues për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian.
Kryeministri grek, Kiriakos Micotakis, dërgoi mesazh të qartë se Greqia nuk e përkrah Bullgarinë për bllokadën e perspektivës evropiane të Maqedonisë.
“Jo. Nuk e përkrahim Bullgarinë. Mendojmë se është komplikim i panevojshëm, tha kryeministri grek Kiriakos Micotakis në pyetjen nëse Greqia është në anën e Bullgarisë në bllokimin e perspektivës evropiane të Maqedonisë”.
Njëkohësisht zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, nga Strasburgu porositi se asnjë vend nuk mund të na tregojë ose diktojë për identitetin maqedonas, për shkak se sjellja e tillë ndaj vendit fqinj nuk është akt i fqinjësisë së mirë.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Von der Lajen dhe eurokomisari për zgjerim, Varheji këtë javë ishin në Shkup. Der Lajen u shpreh e bindur se mund të tejkalohet bllokada e Sofjes dhe të mbahen konferencat e para ndërqeveritare me Maqedoninë dhe Shqipërinë deri në fund të vitit.
Varheji, dje në Twiter shkroi se me kryeministrin Zaev kanë biseduar se si ta çojnë procesin për zgjerim përpara përmes hapjes së negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë.
