Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi në Click Plus u pyet se kur do të përfundojë rregullimi i rrugës industriale. Arifi theksoi se në atë rrugë janë vendosur pengesa në pjesën e shkollës dhe se shumë shpejtë do të vendosen edhe pengesat të tjera. Ndërkaq, sa i përket ndarjes fizike të rrugës, ajo tha se kanë bërë ndërhyrje procedurale dhe se punimet kanë filluar.
“Ne kemi vendosur pengesat në pjesën e shkollës, ndërkohë që kemi dhënë premtim për bërë pengesat në pjesën e fillimit dhe tek rruga që hynë te pjesa e “Teteksit” dhe këto do t’i plotësojmë faktikisht ato na kanë arritur. Në të njëjtën kohë ndarjen fizike e kemi filluar që ta bëjmë dhe iu sqarova atëherë se do të duhet të bëjmë intervenim procedural për shkak se nuk e kemi pasur të paraparë në planet tona dhe kemi bërë një intervenim në ndryshimin e planit për furnizime publike që ka marrë pak kohë dhe ndarja fizike në fakt punimet përgatitore kanë filluar”, u shpreh në Click Plus në TV21 kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Kujtojmë që disa muaj më parë në rrugën industriale në Tetovë një fëmijë 6 vjeçar humbi jetën si pasojë e goditjes nga një makinë.
