Kur do të hapet Çerdhja “Rilindja” në Tetovë? Ministri thotë se e ka kryer punën, Komuna me premtim të ri

TË FUNDIT

Edhe pse u premtua se do të hapet në shtator, çerdhja “Rilindja” në Tetovë ende nuk është hapur. I pyetur për këtë, ministri i punëve sociale Fatmir Limani, tha se nga ana e dikasterit të tij puna është kryer dhe se tash mbetet te autoritetet lokale.

“Çerdhes “Rilindja” ia kam nda edhe punësimet, edhe pëlqimet, ngelet në tyren që ta hapin tani unë nuk mund të hap edhe çerdhe, e imja ishte t’u siguroj punësimet, i kam siguruar, e imja ishte t’u siguroj mjetet për ndërtim, ua kam siguruar, pjesa tjetër të menaxhimit e kanë drejtorët dhe institucionet komunale”, tha ministri i Punës Sociale, Fatmir Limani.

Nga komuna e Tetovës premtojnë se çerdhja do të hapet brenda pak ditësh. Sipas Nazmi Dautit nga sektori për veprimtari komunale, konkursi është në vijim.

“U lëshuan financimet nga ana e ministrisë për punë dhe politikë sociale, në dy faza, fillimisht financimet e vjetra ku konkursi mbaroj dhe më pas u lëshuan dhe financimet e reja për çerdhen që do të hapet në kuadër të çerdhes rinia, konkursi është në vijim është ë shpallje publike dhe mendoj se shumë shpejt do të bëhet dhe hapja zyrtare e çerdhes dhe do të mundet që edhe fëmijët të vazhdojnë me regjistrimin në çerdhen e re”, u shpreh Nazmi Dauti – Sektori për Arsim – Komuna e Tetovës.

Në çerdhe “Rilindja” do të punësohen 49 persona. Kapaciteti i çerdhes është për 130 fëmijë, ndonëse lista e pritjes për çerdhe është 300 fëmijë, që do të thotë se rreth 170 fëmijë në Tetovë do të jenë në listën e pritjes. Problem më vete është mosfunksionimi i Komisionit për licencim, ku edukatorët, por edhe drejtorët, nuk mund të marrin licenca për punën që bëjnë.