Kur do të figurojë kombësia në certifikata? BDI e propozoi, Lloga e riaktualizoi por asgjë konkrete në këtë drejtim

TË FUNDIT

Është çështje javësh deri sa në certifikatat e lindjes të figurojë përkatësia etnike. Kështu paralajmëroi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga para një muaji për ndryshimet në formatin e certifikatave.

“Edhe pse në formularët online nuk qëndron grafiku i përkatësisë etnike, ne erdhëm këtu në Një Pikë Shërbimi për të pare nëse një mundësi e tillë për nxjerrje të certifikatës me përkatësi etnike ekziston këtu tek ta. Në certifikatën e lindjes ta kem edhe përkatësinë etnike.

Jo, nuk ka mundësi të tillë. Do të thotë nuk ekziston ende? Nuk ka mundësi të tillë. Jo, jo nuk ka certifikata të tilla. Dy gjuhësi po, por përkatësi jo”, raporton Sara Kajolli, gazetare TV21.

Se po punohet në drejtim të përgatitjes së rregullores së re sipas të cilës në certifikatat e lindjes, vdekjes dhe të martuarve do të figurojë edhe përkatësia etnike thotë edhe Drejtori i Drejtorisë për Udhëheqje me Librat Amë, Emir Sulejmani.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, jemi në proces të përgatitjes së rregullores së re me të cilin në të ardhmen e afërt në certifikatën e lindjes, vdekjes dhe të martuarve do të ketë edhe grafë në të cilën do të shkruhet përkatësia etnike, do të thotë e gjithë kjo është në përputhje me ligjin ekzistues”, tha Emir Sulejmani, drejtor i Drejtorisë për udhëheqje me librat amë.

TV21 kërkoi qëndrim nga Ministria e Drejtësisë për të parë se deri ku është ky proces dhe kur saktësisht qytetarët do të pajisen me formatin e ri të certifikatave, por nga atje nuk morëm përgjigje.

Sipas ministrit Lloga vendosja e përkatësisë etnike është e domosdoshme sepse sipas tij kjo do të ishte masë parandaluese për keqpërdorimin e kombësisë gjatë punësimeve.

Përndryshe, me të njëjtin propozim dhe me të njëjtat arsyetime disa vite më parë dolën edhe nga BDI.

 “Dhe ka qenë insistim i joni dhe vlerësoj që është çështje kohe e shkurtër kur do të hyjë në përdorim edhe rregullorja e re dhe forma e re e certifikatave e cila do të demonstrojë edhe etninë e individit”, tha Artan Grubi –BDI (22.12.2019).